Kush do behet shefi i SPAK? Lorenc Vangjeli zbulon emrin: Di që nën tavolinë ka përpjekje të ethshme për…

Analisti Lorenc Vangjel ka zbuluar emrin e mundshëm që do të drejtojë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar teksa Altin Dumani është drejt ikjes nga ky post.

Duke folur në emisionin “Trialog” në RTSH1, Vangjeli tha se një nga kandidatët e mundshëm që mund të drejtojë SPAK-un është Adnan Xholi.

Sipas Vangjelit, SPAK ka pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe në këtë sektor rolin kryesor sipas tij e ka pasur prokurori Xholi.

“Nëse do të bëhej një bilanc i asaj që quhet epoka e Dumanit edhe me insistimin dhe frymëzimin e z. Dumani, suksesi kryesor i SPAK-ut në këto tre vjet ka qenë goditja ndaj krimit të organizuar në mënyrë të jashtëzakonshme edhe pse shumë më pak mediatik.

Përgjegjës direkt i këtij sektori është z. Xholi. Ndërkaq për z. Dumani është tjetër gjë. Z. Xholi është favorit në kushte normale për shkak të rezultateve që ka ofruar, për shkak të mbështetjes së z. Dumani dhe për shkak se Shqipëria ka nevojë për disa ekulibra të rinj”, tha Vangjeli.

Më tej analisti Vangjeli vuri në dukje se ka përpjekje “nën tavolinë” nga palët politike për të ndikuar në procesin e përzgjedhjes së kreut të SPAK-ut.

“Di që nën tavolinë ka përpjekje të ethshme për të zgjedhur dikë që nuk po e them me emër, nga të gjitha palët politike, nga mazhoranca dhe opozita. Po tentojnë të ndikojnë të gjithë në këtë proces. Ka ndikim të jashtëzakonshëm. Mazhoranca ka më shumë ndikim dhe më shumë mjete dhe ka nevojë për një SPAK më të zbutur.

Segmente të caktuara të biznesit dhe të mediave….kam bërë një paralajmërim disa kohë kohësh dhe kam përshtypjen se mund të kem trembur disa duar të gjata të cilat le ta themi me metaforë tentonin të hidhin grushte balte, njëri kundër tjetrit. Roli i individit është i jashtëzakonshëm. Z. Dumani arriti të realizojë diçka, arriti rrëzojë mitin e pandëshkueshmërisë por ai dhe trupa e tij janë ende larg për të vendosur drejtësi në Shqipëri”, tha më tej Vangjeli.