Berisha dhe Rama në të njëjtën linjë, nuk ka rikandidim për Altin Dumanin dhe prokurorët e tjerë të SPAK…
Sali Berisha i ka “shkelur syrin” Edi Ramës për saboptimin e SPAK. Prej 3 vitesh, Prokuroria e Posaçme ka bërë një kërkesë në Kuvend, që të bëhen ndryshime kushtetuese dhe ligjore me qëllim që prokurove aktualë tu jepet e drejta e rikandidimit.
Në nenin 148/dh të Kushtetutës thuhet shprehimisht: “Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi”. Pra, një pjesë e madhe nga prokurorët aktualë (rreth 10) në vitin 2029 duhet të largohet nga aty. Pjesa tjetër largohen në vitet më pas, pasi janë emëruar me vonesë.
Altin Dumani e tha sot në KLP dhe e ka deklaruar disa herë se ata kërkojnë që tu jepet e drejta e rikandidimit.
“Problem mbetet vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë të prokurorëve të posaçëm do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK”, ka deklaruar Dumani.
Madje BE ka hedhur dhe idenë që të drejtë të ketë edhe kryetari për një tjetër mandat, pasi ligji shprehet se kryetari ka mandat 3-vjeçar dhe nuk ka të drejtë rikandidimi.
Por kjo kërkesë ka 2 vite në sirtar dhe Edi Rama me mazhorancës nuk e kanë marrë kurrë mundimin ta trajtojnë. Sot ju erdhi në mbështetje Sali Berisha, i cili u shpreh prerë se PD nuk do të pranojë një ndryshim Kushtetues për mandatin e prokurorëve.
“Ky është i fiksuar, në çdo takim kërkon: ‘Na ndryshoni Kushtetutën për karrigen time.’ Jo, mor zotëri, nuk ndryshojmë Kushtetutën për karrigen tënde. Po, Kushtetuta do të ndryshojë, por për t’i hequr të drejtën prokurorit të kontrollojë gjyqtarin e çështjes”, tha Berisha.
Pra, si Rama ashtu dhe Berisha tani janë bërë bashkë. Në dhjetor Altin Dumanit i mbaron mandati si kryetar dhe nëse nuk ka ndryshime do të duhet të dorëzojë postin. Me shumë mundësi aty do emërojnë dikë më afër politikës.
Ndërkohë pas 4 vitesh do nisin pazaret për emërimin e prokurorëve dhe me gjasë SPAK do përfundojë si një prokurori normale, pasi nuk lejon më politika të emërohen aty njerëz të drejtë dhe që zbatojnë ligjin. Emrin vërtet mund të vijojë ta ketë SPAK, por do përfundojë si dikur Njësia Antikorrupsion te Krimet e Rënda që nuk arrestoi asnjë nëse SHBA nuk merr situatën në dorë. /Pamfleti