Një incident me armë ka ndodhur në qendër të Prishtinës, aty ku po ndiqej ndeshja Serbi-Shqipëri.
Pas golit të Rei Manajt në pjesën e parë të ndeshjes, një person ka shkrepur armën në ajër.
Pas kësaj ai është vënë në pranga menjëherë nga policia.
Në stadiumin ‘Duboçica’ të Leskovacit kombëtarja shqiptare e mbylli 0-1 ndeshjen kundër Serbisë, me golin e Rey Manajt.
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, foli pas suksesit madhështor që kuqezinjtë arritën në transfertë ndaj Serbisë. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “Supersport”, Gjimshitit, zbuloi se bashkëshortja serbe e uroi menjëherë pas ndeshjes:
“Emocionet para ndeshjes kanë qenë të shumta. Kam bërë eksperiencë në jëtën e futbollit, di si të përballoj presionin. Unë e kam shumë afër nga shtëpia e gjyshërve. Akoma nuk e kemi realizuar ëndrrën siç duhet, emocionet janë të mëdha. Nga e gjithë bota na kanë ndjekur sot, i kemi bërë të lumtur.
Duhet të kesh kualitet për të luajtur në këto nivele. Unë e njoh Ajetin që 15-vjeç, kemi luajtur edhe te Zvicra. Vendosëm të dy të luanim për Shqipërinë, më shumë se 10 vite që po luajmë bashkë këtu. Gjithë ekipi ka meritë, të gjithë luftuam, dhamë gjithçka në fushë. Ishte arritje e madhe.
Urimi i parë ishte i bashkëshortes dhe familjes. Kishte shumë mesazhe, nuk i kam hapur të gjitha, më të rëndësishmit janë familja, prindërit, gruaja. Ka shumë mesazhe.
Kam luajtur shumë shpesh kundër Vlahoviç, më shumë se 10 herë. Ka përjetuar fazë të vështirë, por cilësitë mbeten. Kishte rast të madh në pjesën e parë. I mbajtëm mirë”, u shpreh kapiteni Gjimshiti.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur i emocionuar pas fitores së madhe ndaj Serbisë, duke e cilësuar ndeshjen si një moment të veçantë dhe një ditë të paharrueshme për gjithë shqiptarët.
Sylvinho ndau lavdërime të veçanta për Rei Manajn, autorin e golit të vetëm që i dha Shqipërisë fitoren. Trajneri theksoi kontributin e secilit lojtar, pavarësisht se kush ishte në qendër të vëmendjes.
“Futbolli është për t’u vlerësuar, sot është një ditë shumë e bukur, e paharrueshme. Kemi mundur një kundërshtar shumë të fortë, të vështirë, jemi në lojë, nuk është vendosur asgjë, është një hap i rëndësishëm. Ishte Manaj, është jeta jonë, sot shkohet andej, një penallti, gabohet… Ky është një lojtar që ne kemi besim shumë. Ndaj kur shkon e punon 24 orë, e di që mund t’u japësh besim, është jeta e trajnerit. Mbeten dy ndeshje, kemi humbur vetëm një. Por pastaj nëse ndodh diçka e fiton 1-0, jo nuk është mirë, jo ashtu… Tre pikë janë të mira, janë shumë të mira.
Unë u bëj komplimente të gjithëve. Një lojtar nuk është se shkon në fushë për tre gola. Futbolli nuk është i lehtë. Broja bëri një ndeshje të vështirë, ai kishte Pavloviç një ndër më të fortët, ishte 60 minuta një kundër një me të duke e përballuar, e kaloi, krosoi. Uzuni, i jashtëzakonshëm, se kjo është një skuadër ku fillimisht është njeriu. Ai mund të përfitojë nga hapësira. Jam krenar për të gjithë, edhe Uzuni e Broja ndonëse nuk kanë shënuar, kanë bërë shumë për ekipin.
Largimi? Më kanë bërë këtë pyetje në Shqipëri dhe një gazetar serb dje. Po përgjigjem njëlloj, për të ardhmen time mendoj unë. Nuk më shqetëson, jam krenar për të gjithë, i ndërgjegjshëm për punë. Na mungojnë ende dy ndeshje shumë të rëndësishëm por për të ardhmen mendoj unë.
Siç e thashë për Rein, ai ka eksperiencë, ndodh. Unë mundohem të kem një raport të mirë dhe të jem gjithmonë i edukuar me gazetarët, por kaq është, është edhe një punë investigative për të dhënë diçka me raste… Flas mirë, në mënyrë të edukuar, mundohem gjithmonë të përgjigjem mirë. Është bërë një ndeshje e jashtëzakonshme, jo vetëm kjo, edhe në shtëpi e kemi bërë ndaj tyre.