Ish-gjyqtari dhe analisti Lorenc Jemini kishte bërë një premtim të pazakontë para ndeshjes Serbi–Shqipëri: nëse rezultati do të mbyllej 0-1 për kuqezinjtë, ai do të zhvishej live në studio.
Pas triumfit historik të Shqipërisë, Jemini e mbajti fjalën! Në mes të studios, ai u zhvesh, duke ndezur atmosferën mes gazetarëve dhe tifozëve.
Momenti është bërë menjëherë viral në rrjetet sociale, ku ndjekësit e kanë përgëzuar për sinqeritetin dhe pasionin e tij për kombëtaren shqiptare.
Fitorja historike e Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë ka ndezur festime të mëdha në të gjithë vendin dhe përtej kufijve. Euronews Albania me kamerën e saj u gjend në rrugët e Tiranës dhe Prishtinës ku përcolli atmosferën.
Qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani dhe Prishtina, por edhe komunitetet shqiptare në diasporë, janë përfshirë nga një atmosferë entuziaste, mes brohoritjesh dhe krenarie kombëtare.
Në kryeqytet, mijëra tifozë të mbledhur për të ndjekur ndeshjen në një ekran gjigant shpërthyen në festë pas përfundimit të takimit. Këngët patriotike, vallet popullore dhe thirrjet e pandërprera shënuan momentet e triumfit kuqezi në tokën serbe.
Pamje të ngjashme janë regjistruar edhe në qytete të tjera, ku makina të zbukuruara me flamuj kombëtarë, fishekzjarrë dhe thirrjet “Shqipëri! Shqipëri!” e shndërruan natën në një festë popullore, që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve.