Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Rei Manaj, shkroi një histori të pabesueshme dhe emocionale në ndeshjen kundër Serbisë, duke e shndërruar momentin e dhimbjes së humbjes së penalltisë tre muaj më parë në Tiranë, në golin e fitores në Leskovac.
Vetëm pak muaj më parë, më 7 qershor, në ndeshjen e parë kundër Serbisë (0-0), Manaj humbi një penallti në minutën 45+2, duke shkaktuar kritika dhe zhgënjim të madh te tifozët.
Këtë të shtunë, në ndeshjen kualifikuese të Botërorit në Serbi, historia u përsërit në mënyrën më të papritur: Rei Manaj shënoi golin e vetëm të takimit sërish pikërisht në minutën 45+2, duke i dhënë Shqipërisë fitoren historike 0-1.
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ku tifozët serbë nuk kursyen thirrjet e rënda si “vritini shqiptarët” dhe shpalosjen e banderolave provokuese me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb, ngjarje këto që pritet të ndëshkohen nga UEFA.
Megjithatë, kuqezinjtë ruajtën qetësinë dhe karakterin, duke mbrojtur rezultatin 0-1 deri në fund. Me këtë triumf, Shqipëria konsolidon vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, duke lënë pas Serbinë me 7 pikë.
Pas humbjes, trajneri i Serbisë, Dragan Stojković, mori përgjegjësinë dhe dha dorëheqjen, duke deklaruar:
“Unë jam fajtor. Nuk e prisja këtë rezultat. Sporti ka edhe ditë të tilla.”
Fitorja do të mbahet mend si një natë e hakmarrjes së ëmbël sportive, e shkruar me zemër dhe disiplinë kuqezi.