Të paktën 16 persona humbën jetën në një zjarr të madh që përfshiu një fabrikë veshjesh dhe një depo kimike në kryeqytetin e Bangladeshit.
Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi flakët ende nuk janë vënë plotësisht nën kontroll. Tajul Islam Chowdhury, drejtori i shërbimit të zjarrfikësve, konfirmoi se trupat e 16 personave janë nxjerrë nga fabrika e veshjeve, por ekipet e shpëtimit ende nuk kanë mundur të hyjnë plotësisht në depo ku dyshohet se mund të ketë më shumë viktima.
Ende nuk dihet saktësisht sa punëtorë ndodheshin brenda në momentin e shpërthimit të zjarrit. Bangladeshi është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të veshjeve, një industri që punëson miliona persona, kryesisht gra. Megjithëse standardet e sigurisë janë përmirësuar që nga shembja tragjike e ndërtesës “Rana Plaza” në vitin 2013, ku humbën jetën mbi 1,000 punëtorë.
Jashtë zonës së rrethuar nga policia, dhjetëra familjarë të shqetësuar prisnin me ankth lajme për të dashurit e tyre. Shumë prej tyre mbanin në duar fotografi të grave të reja që punonin në fabrikë. Një prej tyre, Mohammad Nayeem, tha se po kërkonte gruan e tij, Samia Akter, e cila punonte në fabrikën e përfshirë nga flakët.
“Shkova dy herë në klinikën mjekësore, por nuk munda ta gjej. Ende nuk e di se ku është”, tha ai me lot në sy.
Zjarrfikësit po veprojnë me kujdes të shtuar, duke përdorur dronë dhe teknologji të tjera për të identifikuar burimin e flakëve, pasi ngjarje të ngjashme në të kaluarën kanë rezultuar fatale për ekipet e shpëtimit. Në vitin 2022, disa zjarrfikës humbën jetën në një incident të ngjashëm kur hynë me nxitim në një strukturë me substanca kimike.