Melisa Hoxhallari është e reja e cila u arratis me të dashurin pasi ky i fundit i plagosi me armë zjarri bashkëshortin. Ngjarja ndodhi në sy të djalit të tyre 10-vjeçar. Sot, ajo është vetëdorëzuar në Policinë e Fierit.
I dashuri Klement Beqaj, autori i dyshuar i ngjarjes, vijon të jetë në kërkim. Ngjarja e rëndë u shënua në fillim të këtij viti.
Gledian Hoxhallari mbeti i plagosur mbrëmjen e së dielës, më 5 janar, në një lokal pranë zonës së ‘Zogut të Zi’ në Fier, ku dyshohet se u qëllua nga Klement Beqaj.
NJOFTIMI
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim M. H., 29 vjeçe, pasi Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Më datë 05.01.2025, në lagjen “Apollonia”, dyshohet se shtetasi K. B. (aktualisht në kërkim), në bashkëpunim me 29-vjeçaren, plagosi me armë zjarri, shtetasin G. H., 40 vjeç.