Në muajt e fundit, korridoret e Kryeministrisë kanë qenë skenë e lëvizjeve të papritura nga tre nga figurat më të afërta të Edi Ramës, Engjëll Agaçi, Vali Bizhga dhe Endri Fuga. Dorëheqjet e befta, rikthimet e orkestruara dhe largimi përfundimtar i një prej tyre kanë tronditur radhët e pushtetit, duke zbuluar tensionet, frikën dhe llogaritë e brendshme që zakonisht mbeten të fshehura për publikun. Agaçi dhe Bizhga ruajnë ndikimin e tyre të fortë në qeveri dhe marrëdhëniet me ministrat, ndërsa Fuga ka zgjedhur rrugën e largimit përfundimtar, duke u vendosur në Indonezi.
Arratisja nga Shqipëria
Nëse përmend emrin e Engjëll Agaçit në një shpjegim të çfarëdoshëm për punët e qeverisë dhe të shtetit, zëre se i ke thënë të gjitha. E themi këtë, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë është më shumë se kaq, ai ka në dorë të gjitha punët e shtetit dhe është i përzierë në të gjitha kulisat që prodhon pushteti. Agaçin e cilësojnë madje dhe “engjëllin” e Ramës, pasi për të gjitha punët e pista ose jo që kërkon t’ju japë drejtim, ai zgjedh pikërisht njeriun më të afërt të tij, Sekretarin e Përgjithshëm. Nuk ka këshilltar, as shef protokolli, as qeveritar, as numër dy të qeverisë apo të partisë, që Rama ta marrë me vete në të gjitha evenimentet, politike apo qeveritare. Është vetëm Agaçi. Por pas gjithë këtyre viteve shërbim ndaj Edi Ramës, disa muaj më parë u raportua se ai e kishte braktisur kryeministrin dhe dyshohet se ishte arratisur jashtë vendit nga frika e një arrestimi të mundshëm.
Agaçi dha dorëheqjen në heshtje, i trembur se edhe ai mund të jetë shënjestra e radhës e SPAK, veçanërisht në dosjen e inceneratorëve, ku akuzohet se ka gisht, një skandal që po i afrohet zemrës së ekzekutivit. Kryeministri bëri çdo gjë që kishte në dorë për ta rikthyer dhe ashtu ndodhi. Burime për gazetën pohuan se kthimi i Agaçit nuk lidhej vetëm me një operacion shëndetësor, siç u pretendua zyrtarisht nga qeveria, por me një frikë reale që përfshiu vetë Ramën pasi ky i fundit nuk donte një tjetër (precedent) “Ahmetaj”. Kujtimi i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj të arratisur që vazhdon të hedhë bombat nga Zvicra, ka bërë që Rama të ndërhyjë personalisht. Me pizhama spitali, Agaçi është sjellë me urgjencë në Tiranë! Një kthim i orkestruar jo për arsye shëndetësore, por për të kontrolluar dëmin që mund të shkaktonte nëse vendoste të fliste. Burime pranë qeverisë raportuan për gazetën në ato muaj se gjatë periudhës së mungesës së tij u diskutua edhe emri i mundshëm i zëvendësuesit, Vilma Guri, por vendimi për rikthimin e Agaçit i dha fund çdo alternative, duke garantuar që kontrolli mbi pushtetin të mbetej i paprekur.
Vali Bizhga
Gjithashtu më 30 shtator u raportua se Vali Bizhga, shefja e kabinetit të Edi Ramës ka dhënë dorëheqjen nga posti që ka mbajtur prej shumë vitesh. Bizhga, e njohur si një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të kryeministrit, ka qenë pjesë e ngushtë e ekipit të tij që nga koha kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. Njësoj si për Agaçin dhe për Vali Bizhgën është bërë me dije se arsyeja e dorëheqjes ishin probleme shëndetësore që kanë ndikuar në vendimin e saj për t’u tërhequr nga funksionet ekzekutive. Por njësoj si për emrin që do zëvendësonte Agaçin emri i përfolur disa ditë më parë si zëvendësuesja e Vali Bizhgës në krye të kabinetit të kryeministrit Edi Rama, ka marrë drejtim tjetër. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Vilma Premti është emëruar zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nuk dihen ende arsyet e ndryshimit të beftë, por në korridoret e Kryeministrisë përflitet për një refuzim që Edi Rama i bëri propozimit të Vali Bizhgës për t’i lënë Vilma Premtin në pozicionin e shefes së kabinetit.
Megjithatë për ta shpërblyer Vilmën, mendoi shefja e saj e dikurshme, Elisa Spiropali, e cila e propozoi në qeveri për postin e zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kujtojmë që më herët Vilma Premti ishte shefe kabineti e Elisa Spiropalit. Më pas shërbeu si shefe kabineti e Holta Zaçajt, kryetares së Gjykatës Kushtetuese. E tani duket se po rikthehet sërish në oborrin e Elisa Spiropalit te Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Dhe siç thonë burimet Vali Bizhga vijon të jetë ende drejtoreshë kabineti e Edi Ramës. Bizhga, nuk ka lidhje me botën okulte, por ajo gëzon besimin gati symbyllur të Ramës. Ajo më shumë ruan lidhjet me ministrat e rinj, të cilët nuk kanë shansin të trokasin drejtpërdrejt në zyrën e shefit të tyre. Është ajo që i pret në kryeministri, i dëgjon dhe i jep shpesh herë zgjidhje për dilemat e tyre. Kjo grua e fortë, të cilën jeta e ka bërë të përballojë sfida tejet më të rënda sesa ato me të cilat të përplas pushteti, është bërë në një farë mënyre diga, që disa nga oligarkët më të fuqishëm të mos i zgjidhin punët me administratën duke anashkaluar Edi Ramën.
Fuga mbetet në azil politik në Indonezi
Por i vetmi nga tre muskëtierët që arriti t’i largohej Ramës është Endri Fuga. Ai ka ikur përfundimisht nga kryeministri të cilit i shërbeu për një periudhë të gjatë si eminenca gri dhe hija e kryeministrit. Siç ka raportuar gazeta Sot në artikujt e mëparshëm, Fuga është larguar drejt Xhakartës, Indonezi ku do të jetë pjesë e një projekti këshillues në institucionet e këtij shteti. Largimi i Fugës është shumë i dyshimtë, pasi nuk ekziston një motiv për ftohjen me kryeministrin. Endri Fuga pas prezencës pranë Edi Ramës si këshilltari kryesor i tij, u emërua Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim (MIA) më 29 shtator 2021, me urdhër të Kryeministrit. Këtë post e mbajti deri në 3 marsit të vitit 2023, Fuga dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të MIA. Arsyeja e deklaruar prej tij lidhej me angazhimin politik në fushatë: Fuga sqaroi se do të përqendrohej tërësisht në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Ai e vlerësoi të pandershme që, ndonëse ligji nuk e ndalonte, të vazhdonte të drejtonte agjencinë shtetërore të informimit ndërkohë që merrej aktivisht me fushatën e një partie politike.
“Nuk do të ishte e ndershme që teksa angazhohem në fushatën e një partie politike të vazhdoja të drejtoja edhe Agjencinë për Media dhe Informim”, u shpreh Fuga në njoftimin e tij. Në fakt nga ky moment Endri Fuga nuk u kthye më në drejtorinë e propagandës së Edi Ramës si dhe nuk u pa më në krah të kryeministrit të cilin deri në atë moment e shoqëroi në çdo event brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu MIA mbeti pa drejtor dhe roli mbahej nga dy zëvendësat e tij. Manjola Hasa mbulonte aspektin mediatik, pra komunikimin me publikun dhe gazetarët, ndërsa Alteo Hysi menaxhonte detyrat administrative dhe organizative të agjencisë në prapaskenë. Nga marsi deri në 25 qershor 2025, vendi i Fugës u dublua me dy ndihmësa por në asnjë moment nuk u emërua drejtori i ri. Askush nuk arriti të kuptonte pse Edi Rama mbante peng qendrën e tij të propagandës me 61 punonjës pa një drejtor të emëruar. Sipas burimeve të sigurta nga kjo periudhë Edi Rama nuk pranoi të zëvendësonte Fugën në pritje të rikthimit, por më në fund vendosi largimin përfundimtar të tij nga roli i Gëbelsit të propagandës të Edi Ramës.
Më 25 qershor Manjola Hasa emërohet zyrtarisht Drejtore e Përgjithshme e MIA, duke konfirmuar largimin përfundimtar të Fugës nga prehri i kryeministrit Rama. Gjithmonë sipas burimeve pranë Ramës mësohet se Fuga u largua nga kryeministri për shkak të disa abuzimeve të kryera gjatë funksionit si eminenca gri. Fuga duke qenë afër Ramës dhe në besimin e tij të plotë ishte bërë shumë i fuqishëm. Ai komandonte ministrat e qeverisë dhe hynte në raporte direkte me oligarkët e Edi Ramës dhe pronarët e mediave të kazanit kryeministror. Frida Krifca ishte një nga ministret që kishte suportin maksimal të Fugës dhe kishte një bashkëpunim të zgjeruar me benefitet që vinin nga kjo ministri. Ka dyshime të forta se urdhrat e Fugës detyronin ministrat të favorizonte biznese, media dhe miq të Fugës që janë interceptuar nga agjencitë hetimore. Një dosje përvëluese bëri që Fuga të largohet dhe të marrë rrugën e kurbetit bashkë me familjen e tij, të cilin Rama nuk e bindi dot si Bizhgën dhe Agaçin për ta rikthyer pranë vetes.