Urgjente! Merr fl*ke hoteli i njohur ne Tirane, njerezit po evakuohen por…

Një ngjarje është regjistruar mbrëmjen e sotme në kryeqytet, ku një zjarr ka përfshirë katin e parë të një hoteli në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Shtetit, zjarri dyshohet se ka shpërthyer si pasojë e një defekti elektrik në ambientet e lavanderisë së hotelit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50, duke shkaktuar panik te klientët dhe stafi i hotelit, por për fat të mirë nuk raportohet për persona të lënduar. Pas njoftimit në sallën operative, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi për të vënë situatën nën kontroll.

Policia ka bërë evakuimin e menjëhershëm të personave që ndodheshin në brendësi të godinës, ndërsa zjarrfikësit kanë arritur të izolojnë flakët, duke parandaluar përhapjen e tyre në katet e tjera të hotelit dhe në ndërtesat përreth. Zjarri është shuar plotësisht pas disa minutash ndërhyrje intensive.

Sipas burimeve në vendngjarje, dëmet materiale janë të konsiderueshme, kryesisht në pjesën e lavanderisë dhe disa ambiente ndihmëse të katit të parë, ndërsa pjesa tjetër e hotelit ka shpëtuar pa dëmtime serioze.

Grupi hetimor ndodhet aktualisht në vendngjarje dhe po kryen veprimet e para procedurale për sqarimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për defekt elektrik apo për ndonjë shkak tjetër teknik.

Autoritetet kanë siguruar se situata është plotësisht nën kontroll dhe nuk ka më rrezik për banorët apo kalimtarët në zonë.