Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së premtes qytetin e Limasolit, në Qipro, ku është ekzekutuar biznesmeni dhe presidenti i klubit të futbollit “Karmiotissa”, Stavros Demosthenous. Sipas mediave qipriote, ngjarja ka ndodhur rreth orës 8 të mëngjesit, ndërsa viktima ndodhej duke lëvizur me një motoçikletë në një zonë të banuar të qytetit.
Sipas informacioneve të para nga policia, autorët kanë qenë në dijeni të saktë të lëvizjeve të Demosthenous, gjë që tregon se vrasja ishte e planifikuar me kujdes. Ata iu afruan në momentin që ai po udhëtonte me motoçikletë dhe hapën zjarr drejt tij në mënyrë të përsëritur, duke e lënë të vdekur në vend. Burime të hetimit thonë se autorët, pasi u siguruan që viktima kishte ndërruar jetë, u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, duke u zhdukur në drejtim të panjohur.
Pak minuta më vonë, policia gjeti një automjet të djegur në një zonë tjetër të Limasolit, që dyshohet të jetë përdorur nga atentatorët për t’u arratisur pas krimit. Makina është dërguar për ekzaminime të detajuara forenzike, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë pronësinë e saj dhe gjurmët e mundshme të ADN-së apo gishtërinjve që mund të çojnë tek autorët.
Burime nga policia qipriote bëjnë me dije se po hetohet pista e përfshirjes së vrasësve me pagesë, të cilët mund të kenë vepruar me urdhër të personave të tjerë. Një nga hipotezat kryesore të hetimit është se ngjarja lidhet me aktivitetet e basteve sportive, pasi klubi që drejtonte Demosthenous, “Karmiotissa”, ka qenë më herët nën hetim nga UEFA për trukim ndeshjesh dhe parregullsi financiare.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, duke analizuar të gjitha kontaktet e fundit të biznesmenit dhe lëvizjet e tij të ditëve të fundit. Hetuesit po shqyrtojnë edhe konfliktet e mundshme të tij në botën e futbollit apo të biznesit. Deri tani, nuk ka persona të arrestuar, por autoritetet thonë se po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të atentatit që ka tronditur opinionin publik në Qipro.