Edhe pse vetëm 31 vjeç, rreth 10 vite i ka kaluar nëpër burgje, ndërsa tashmë me shumë gjasa e pret burgu përjetë. Ky që shihni në foto është Sabah Mustafa Nuzi, i cili akuzohet nga SPAK se futi në kurth dhe vrau në vitin 2020 shokun e tij, Klevis Lleshin, 24 vjeç, me kërkesë të Aurel Hoxhës, kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh.
Sabah Nuzi dhe Klevis Lleshi mësohet se kishin lidhje shoqërore. Pas vrasjes së dyshuar të babait të Klevisit, Xhavit Lleshi, xhaxhait Hajredin Lleshi, djalit të xhaxhait Artan Lleshi, në shenjë hakmarrje për vrasjen Agim Hoxhës në vitin 2012 nga Arben Lleshi, Aurel Hoxha piketoi për të eliminuar edhe Klevis Lleshin, para se t’a mbyllte kapitullin e hakmarrjes për vëllanë, duke vrarë edhe vetë Arben Lleshin në burg, duke depërtuar aty ku nuk kishte arritur askush tjetër deri më sot.

Sipas SPAK-ut, Aurel Hoxha ka kontraktuar Sabah Nuzin për të vrarë Klevis Lleshin. Nuzi duket se kishte dy avantazhe për t’a kryer krimin e dyshuar.
Së pari, pas moshës 18 vjeç kohën e ka kaluar më shumë në burg për plagosje, kanosje, drogë, prishje të qetësisë publike etj.
Së dyti, ishte njohje me Klevis Lleshin, ishin lidhje shoqërore, çka i ka dhënë mundësi Sabah Nuzit për të futur në kurth Klevis Lleshin.
“Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje të shtetasit, Klevis Lleshi më datë 05.08.2020, në qytetin e Burrelit dhe më pas fshehja e kufomës së viktimës Klevis Lleshi, duke u varrosur në fshatin Shpërdhet të Njësisë Administrative Mamurras, Bashkia Kurbin. Eshtrat e viktimës u zbuluan më datë 8.12.2020. Dyshohet se vrasja është kryer me armë zjarri dhe kundrejt pagesës prej 50.000 eurove“, thotë SPAK-u.
Tre javë pas krimit, Sabah Nuzi, në datë 01 shtator 2020, në qytetin e Burrelit, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe ka kanosur një 26 vjeçar. Nuzi u arrestua nga policia në nëntor 2020 për armëmbajtje pa leje, prishje të qetësisë publike dhe kanosje. Megjithatë, ai ishte i lirë kur SPAK-u nisi t’a kërkonte për vrasjen e Klevis Lleshit.
“Kapet dhe ndalohet një 26 vjeçar, i dënuar më parë për krime kundër personit, armëbjajtjes pa leje dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim Sabah Nuzi, 26 vjeç, banues në Burrel. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi në datë 01 shtator 2020, në qytetin e Burrelit, pas një konflikti për motive të dobëta dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe kanosur një 26 vjeçar. Për shtetasin e lartëpërmendur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese e municioneve”, “Kanosje” dhe “ Prishje e qetësisë publike”. Materialet procedurale do ti referohen Prokurorisë Mat për veprime të mëtejshme“, thuhej në njoftimin e policisë.
Në 16 nëntor të vitit 2012, Sabah Mustafa Nuzi, në atë kohë vetëm 18 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë duke plagosur shtetasit Arbër Mata, 34 vjeç, banues në qytetin e Burrelit, Martin Rica 18 vjeç, banues në fshatin Bushkash të rrethit Mat dhe Gjokë Gjin Rica 53 vjeç, banues në fshatin Bushkash të Rrethit Mat.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të datës 16.11.2012 në qytetin e Burrelit, në afërsi të spitalit të qytetit, ku shtetasi Sabah Nuzi pas një konflikti, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të tyre, ku për pasojë ka mbetur i plagosur fillimisht shtetasi Arbër Mata. Rreth 4 orë më vonë Nuzi në vendin e quajtur “ish-agjencia” e qytetit të Burrelit ka qëlluar me armë zjarri pistoletë edhe shtetasit Martin Rica dhe Gjokë Rica, të cilet kanë mbetur të plagosur.
Ndërkaq, policia, në njoftimin 2020, thotë se Sabah Nuzi është dënuar edhe për prodhim dhe shitje droge. Në një periudhë të caktuar kohore, Sabah Nuzi ka qenë në të njëjtin burg me Sokol Mjacajn, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në korrik 2015, disa javë pasi kishte dalë nga burgu për vrasjen e 13 vjeçarit Agim Lera, ngjarje e ndodhur në vitin 2010.
Ndërkaq, Sokol Mjacaj, në 15 dhjetor 2023, vrau me armë zjarri në ambientet e burgut të Peqinit Arben Lleshin, ku mbeti i plagosur Indrit Shaqja. Arben Lleshi ishte autori i krimit makabër në 2012 në Londër, ku vrau dhe dogji shokun e tij, Agim Hoxhën, vëllai i Aurel Hoxhës. Ka dyshime të forta se Mhacaj është kontraktuar nga Hoxha për të vrarë Arben Lleshin në burg, duke futur pistoletën përmes një vajze.
Vrasje, emra dhe foto
Fyerje, përdhosje dhe mungesë e plotë respekti për një qenie tjetër njerëzore… Kështu e konsideronte gjyqtari anglez vrasjen e Agim Hoxhës më 10 prill të vitit 2012 në Southampton, teksa jepte verdiktin final për Arben Lleshin, të akuzuar për ngjarjen.

Gjyqtari shprehej se edhe trafikantët e drogës kanë të drejtë të jetojnë si çdokush tjetër. Agim Hoxha ishte vrarë fillimisht në apartamentin e tij e më pas trupi i pajetë ishte futur në makinë, të cilës i ishte vënë flaka. E duket se vrasja në këtë formë dhe pikërisht përshkrimi që vetë gjyqtari i bëri krimit, ka nxitur gjakmarrjen.
Jo vetëm kaq, por Agim Hoxha besohet se e kishte pritur dhe ndihmuar Arben Lleshin në Angli. Ai njihej si një njeri me zemër të madhe që kishte ndihmuar shumë shqiptarë.
Pas dënimit të Arben Lleshit me burgim të përjetshëm në vitin 2013, familja e Agim Hoxhës shprehej se kjo ishte ajo që priste. Që drejtësia të vihej në vend. E megjithëse u vendos drejtësi për ngjarjen e ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar, duket se vetëgjyqësia u zhvendos në Shqipëri.
I pari që u ekzekutua ishte Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit, xhaxhai i Arben Lleshit. Ai u vra më 30 tetor të vitit 2013. Më herët, në të njëjtin vend, Pujkë, Xhavit Lleshit, i bënë atentat, ku u plagos rëndë. Disa muaj më pas, atentati i dytë, çuditërisht në të njëjtin vend, i mori jetën.

Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i Xhavitit, Hajredin Lleshi, xhaxhai i Klevis Lleshit, rrjedhimisht edhe i Arben Lleshit. Hajredini u ekzekutua në fshatin e lindjes në Rukaj të Burrelit, para derës së shtëpisë.
Në nëntor të vitit 2017 u rrëmbye dhe u zhuk Artan Lleshi, kushëri tjetër i Arben Lleshit, rrjedhimisht edhe i Klevis Lleshit. Artan Lleshi u nxorr në pritë nga shoku i vet Mario Murati, i cili dyshohet se është paguar.

Në 5 gusht 2020, futet në kurth, vritet Klevis Lleshi, 24 vjeç, djali i Xhavit Lleshit. Pas vrasjes nga Sabah Nuzi (sipas SPAK) Klevis Lleshi është varrosur në fshatin Shpërdhet të Njësisë Administrative Mamurras, Bashkia Kurbin.

Në 15 dhjetor të vitit 2023, vritet në burgun e Peqinit, Arben Lleshi, shkaku i gjithë këtyre viktimave të pafajshme. Arben Lleshi u vra nga i dënuari me burg përjetë, Sokol Mjacaj. Vrasja dyshohet se ishte me pagesë. / Prapaskena
