Partia Demokratike duket se ka ndryshuar drejtuesin politik të qarkut të Tiranës.
Sipas portalit Timoni.al, i cili njihet për afërsinë me djalin e kreut të PD-së, Sali Berisha, Belind Këlliçi është shkarkuar nga detyra e koordinatorit politik dhe drejtuesit të qarkut të Tiranës. Në vend të tij, Berisha ka emëruar doktor Ilir Alimehmetin.
Vendimi, sipas burimeve të portalit, është marrë personalisht nga vetë Berisha, i cili ka kërkuar “një frymë të re” në drejtimin e partisë në kryeqytet, pas performancës së dobët në zgjedhjet e fundit. Nën drejtimin e Këlliçit, PD nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në Tiranë, çka ka nxitur nevojën për një riformatim të plotë të strukturave.
“Partia Demokratike ka bërë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e qarkut të Tiranës. Burime ekskluzive për portalin Timoni.al pranë selisë blu konfirmojnë se Belind Këlliçi është shkarkuar nga detyra e koordinatorit politik dhe drejtuesit të qarkut të Tiranës, ndërsa në vend të tij është emëruar doktor Ilir Alimehmeti.
Vendimi është marrë nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka vendosur t’i japë një frymë të re drejtimit të PD-së në kryeqytet, pas një sërë rezultatesh të dobëta në zgjedhjet e fundit nën drejtimin e Këlliçit.
Ilir Alimehmeti ka nisur menjëherë punën në detyrën e re, duke zhvilluar takime me 14 kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë, si dhe me përfaqësuesit e aleatëve në koalicionin opozitar. Qëllimi i takimeve të para, sipas burimeve, është koordinimi i strukturave dhe përgatitja për zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet.
Emërimi i Alimehmetit shihet si një sinjal për riorganizim dhe rinovim brenda PD-së. Ai konsiderohet një figurë e moderuar dhe me mbështetje të gjerë në bazë, veçanërisht pas rezultateve të arritura në zgjedhjet e 11 majit, ku arriti të marrë rreth 20 mijë vota në Tiranë.
Ky zhvillim pritet të sjellë një dinamikë të re në strukturat e PD-së në kryeqytet, ndërsa vetë Berisha ka theksuar nevojën për “energji të reja dhe figurat e besueshme që përfaqësojnë qytetin.” – thuhet në shkrimin e portalit timoni.al me titull: PD ndryshon drejtimin në Tiranë për zgjedhjet e pjesshme/ Largohet Belind Këlliçi, në krye vjen Ilir Alimehmeti./TemA