Fqinjët rrëfejnë momentet e tmerrit në Maliq, ku zjarri përfshiu banesën e familjes Hazisllari, ku humbën jetën nëna, djali 14-vjeçar dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital vajza 6-vjeçare.
Xhemile Kapri është banorja që ka qenë në vendngjarje si dëshmitare dhe si personi që dha ndihmën e parë, në tragjedinë që i morri jetën Nefeli dhe Luka Hazisllarit.
“Unë dola të hidhja plehrat, edhe ajo çupka po qante… qante në oborr. Shkoj atje dhe shoh, ajo dukej sikur ishte futur në kazan, e tëra e nxirë. Thërras komshiun lart dhe i them: ‘Hajde shpejt, shiko çfarë ka ndodhur!’ Më dridhej trupi, nuk shikoja dot. Kur vajtëm, komshiu tha: ‘Kjo është e djegur! Si ka mundësi, është në mes të oborrit?!’ Hapëm derën me këmbë. Djali ishte i shtrirë barkas, me këmbë dhe krahë hapur. Thashë: ‘Ka vdekur.’ Nuk e dinim që edhe nëna ishte brenda e gjeti policia dhe zjarrfikësja”, tha ajo.
Më tej rrëfeu se si i dhanë ndihmën e parë vajzës së djegur rëndë.
“Vajtëm dhe ngritëm çupkën; ishte një kuvertë atje jashtë dhe e mbështollëm. Asaj i binin flokët dhe kishte plagë nga djegiet. Ata ishin me autizëm vajza nuk fliste, as nuk ecte, ndërsa djali ecte por nuk fliste. Djali ishte i vdekur që në korridor, ndërsa vajza po qëndronte ulur. Nëna ishte brenda”, vijoi ajo.
Fqinja rrëfen se familja jetonte në vështirësi ekonomike.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Maliqit, ku një nënë dhe djali i saj humbën jetën si pasojë e asfiksisë brenda banesës, shefi i shërbimit zjarrfikës, Sadik Halili, ka dhënë detaje të reja.
“Njoftimin e morëm rreth orës 13:30 nga salla operative e policisë. Reaguam menjëherë dhe arritëm në vendin e ngjarjes për vetëm një minutë, pasi banesa ndodhej shumë pranë. Në momentin që mbërritëm, nuk kishte më flakë në ambientet e brendshme, dhe të dy fëmijët, djali dhe vajza, ndodheshin jashtë banesës. Vajza ishte e vetëdijshme, ndërsa djali në gjendje të pavetëdijshme. Brenda, pranë derës së kuzhinës, gjetëm nënën e tyre të asfiksuar, e cila kishte ndërruar jetë,” deklaroi Halili.
Zjarrfikësit njoftuan ambulancën, dhanë ndihmën e parë dhe më pas fëmijët u dërguan me urgjencë në spitalin e Korçës, ku 14 vjecari humbi jeten.
Ngjarja është tashmë nën hetim, ndërsa është ngritur grupi hetimor, pjesë e të cilit është edhe shefi i zjarrfikësve. Dy janë pistat kryesore që po hetohen për momentin.
“Në kuzhinë ndodhej një sobë me dru zjarri e ndezur, ndërsa në dysheme kemi gjetur disa fije shkrepse të djegura. Nuk mund të themi ende me siguri se cila është arsyeja e saktë e ngjarjes, hetimet janë në vijim,” tha Halili.