Në seancën e fundit gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, i penduari i drejtësisë Erjon Alibej ka bërë dëshmi të reja duke zbuluar detaje të panjohura më parë.
Gjatë fjalës së tij në gjykatë, Alibej ka deklaruar se atentatorët e prokurorit Ndoja, i cili është zgjedhur deputet në parlamentaret e fundit, kanë lënë prova të shumta pas kryerjes së sulmit. Sipas tij, kjo ka qenë arsyeja kryesore që atentati u zbulua shpejt nga autoritetet. Alibej ka theksuar se personi që fshihej pas urdhërit për këtë atentat ishte Plaurent Dervishaj.
Më tej në dëshminë e tij, Alibej ka zbuluar se kishte plane fillestare për të vrarë deputetin e zgjedhur Arjan Ndoja me snajper në zonën e Gjirit të Lalzit. “Në bisedat në aplikacionin Sky kam folur me të (Plarent Dervishajn) për atentatet ndaj familjes time dhe atë që i kishte ndodhur atij (Ndojës). Për atentatin ndaj tij më vinin fjalë që e kishte bërë Lul Berisha. Se nga më vinin këto informacione nuk i mbaj mend. Dervishajt i kam dërguar një foto të një Kabashi që me erdhi një informacion. Në Tims me ndihmonte një punonjës policie që me jepte çdo gjë. Ai punonte në Elbasan, në Policinë e Elbasanit për afro 1 vit”.
“Shtetasin Redian Rrajën e kam dëgjuar për herë të parë në televizor, nuk e kam njohur. Për të kam bërë një bisedë me Plarentin, pas atentatit, se ku ndodhej nuk e di. E dija që pas atentatit të Ndojës ishte Plaurenti pasi kishim folur për ato emra dhe ai nuk kuptonte arsyen pse i kishin bërë atij atentat. Atentati u zbulua shpejt pasi ata që bënë atentatin pasi kishin lënë prova. Pasi u zbardh e pyes pse ndodhi kështu”.
“Ai më tha se Redianin e kishte shumë shok dhe se e kishte bërë atentatin me dëshirë. Në atë kohë më tha se po përpiqej të prishte provat, te ekspertiza dhe që i kishin kërkuar 300 mijë euro. Sa i përket prokurorit mbaj mend që diskutonim pasi mua donin të më ekzekutonin me snajper dhe më erdhën info që edhe atë donin ta ekzekutonin me snajper dhe po mundoheshim të gjenim kush ekzekuton me snajper. Në biseda e sipër kemi folur që prokurori shkon te një lokal të Gjiri i Lalzit dhe më ka folur për plane që ta ekzekutonin atje me snajper,” – ka dëshmuar Alibej.
Seanca gjyqësore ka qenë e tensionuar, madje Plarent Dervishaj, i akuzuar si urdhërues i atentatit, është nxjerrë nga salla pasi ka ofenduar Erjon Alibejn gjatë dëshmisë së tij. Alibej po dëshmon në cilësinë e të penduarit të drejtësisë për dosjen “Plumbi i Artë”. Ai ka përsëritur se zbulimi i shpejtë i atentatit ndaj Ndojës erdhi si pasojë e provave të lëna nga atentatorët dhe se Plaurent Dervishaj ishte personi kyç pas këtij sulmi të dështuar.