Agron Shehaj ka reaguar sërish sot sa në lidhje me të ashtuquajturën reformë në Radio Televizionin Shqiptar, duke kaluar një hap më tej, ai ka shigjetuar ish-drejtorin e këtij televizioni Thoma Gëllçi, i cili u arrestua me një proces të konsideruar të paligjshëm nga Gjykata e Strasburgut.
“Unë nuk kam thënë që do e mbyll RTSH-në, por kam thënë që nga 30 milionë euro do e bëj 5 milionë euro buxhetin e këtij televizioni”, – është shprehur Shehaj, ndërsa nuk ka paraqitur asnjë fizibilitet se si do e bëjë ai më efiçente këtë superstrukturë me disa kanale.
Por më tej Shehaj vendosi theksin te ish-drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi duke i kujtuar se është dënuar nga gjykata, ndonëse arrestimi i Gëllçit u konsiderua i paligjshëm në Strasburg ndërsa gjykimi i tij i themelit po shqyrtohet në shkallët e tjera të gjyqësorit.
Arrestimi i Gëllçit erdhi pasi ai skualifikoi kompaninë Eurokontakt nga një prokurim, kjo kompani është në pronësi të zotit Gent Prizreni, kunati i sipërmarrësit Zamir Mane, aksioner kyç në grupin mediatik privat KLAN.
Ndonëse oferta e kompanisë së zotit Prizreni kishte një vlerë 20 mijë euro më të leverdisshme, ish-drejtori Gëllçi zbatoi një vendim të KPP-së që urdhëronte skualifikimin e kësaj kompanie.
Zoti Shehaj është bërë palë në këtë proces dhe ka kaluar “de facto” në shërbim të grupit mediatik KLAN, ndërsa arrestimi i Gëllçit përtej problematikave të evidentuara në Strasburg, ka tiparet e një makinacioni që synonte goditjen e një ish-drejtori që tentoi t’i bënte rezistencë grupeve të fuqishme mediatike në vend, jo vetëm KLAN-it duhet thënë ,por dhe Top Channel dhe VizionPlus.
Zoti Shehaj pretendoi në deklaratën e tij se gazetarët që kishin kundërshtuar deklaratën e tij se ai do reduktonte me 600% fondet e RTSH-së nga 30 milionë në 5 milionë, kishin spekuluar pasi Shehaj nuk presupozonte mbylljen e këtij institucioni.
Në këtë pikë zoti Shehaj spekulon pasi ky reduktim drastik praktikisht do sillte falimentimin dhe stanjacionin e këtij televizioni që dhe me buxhetin prej 30 milionë ia del me vështirësi.
Zoti Shehaj nuk ka paraqitur asnjë studim fizibiliteti apo projekt se si do e arrijë modernizimin e RTSH-së me një buxhet prej 5 milionë eurosh.
Zoti Shehaj thjesht shprehet me populizëm se “do kursejë paratë e popullit” për të cilin duket se i djeg xhani.
Por Shehaj nuk guxon të prekë dhe as të pipëtijë për grupet e mëdha mediatike private të cilat kanë licenca valësh publike ekskluzive ( jo vetëm KLAN), ku pronarët e të cilave posedojnë dhe kompani të tjera ndërtimi, shërbimesh, kompani financiare, biznesmenë proxy etj dhe i përdorin si grep për trafik influence për të marrë fonde në buxhetin e shtetit, zoti Shehaj nuk ka bërë ndonjë studim se sa milionë euro përfitojnë këto kompani private nga buxheti i shtetit apo safish më të larta se buxheti i RTSH-së janë këto përfitime.
Po i ofrojmë zotit Shehaj vetëm disa të dhëna në përpjekje për ta ndihmuar:
-Me ikjen e Thoma Gëllçit u zhduk aplikacioni RTSH-Tani dhe lulëzoi aplikacioni KLANI IM
-U devijuan të drejtat ekskluzive sportive dhe i kaluan platformave private si Digitalb, Klan etj
-Shpenzimi kryesor i RTSH-së është kredia dhe shërbimi SLA. Kredia deri në vitin 2024 ishte 3.5 milionë euro, ndërsa shërbimi SLA shkon te 2.5 milionë euro.
-Rrogat dhe sigurimet shoqërore janë shpenzimi kryesor me 7 milionë euro.
-3 milionë euro janë shpenzime për programe dhe të drejta televizive.
-Investimet janë 1-2 milionë euro.
-Janë 900 punonjës, 60 i ka vetëm orkestra, 100 të punësuar i kane stacionet lokale, 60 në radio, prodhimi radio-televiziv (grafika,montazhi, skenografi, grimi etj) shkojnë rreth 200 persona, ndërsa gazetarë lajmesh janë 50 ndërsa redaksitë e kanaleve televizive shkojnë rreth 90 persona.
Duket se zoti Shehaj i ka hipur gomarit së prapthi duke u futur në spirale debatesh ku ai jo vetëm që nuk duket se ka njohuri, por nuk duket të ketë investuar as ndonjë fizibilitet . Shehaj duket i kompromentuar dhe në harmoni me interesat e grupeve private mediatike.
Për hajër Agron. Mbase të fton Fevziu ndonjë natë në emision. Nuk është pak. / Hashtag.al