Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar reagoi në lidhje me lajmin se emri i Belinda Ballukut është regjistruar si person nën hetim. Për News24, SPAK tha se “Prokuroria e Posaçme nuk ka asgjë për të ndarë me median”.
Prokuroria e Posaçme regjistron emrin e zëvendës Kryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes se barazisë në tendera. Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.
Burime të besuara bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar zonjës Balluku në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në fletëthirrje zonjës Balluku i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla lajmëron se mund t’i komunikohet akuzë penale. Kjo nënkupton ndërkohë që me gjasë SPAK do ta ushtrojë ndjekjen penale ndaj numrit dy të mazhorancës pa masë sigurie e në këtë mënyrë prokurorët e posaçëm shmangin edhe kërkesën për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë.
SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.
Nuk dihet nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste.
Konkretisht, kontrollet janë ushtruar në banesat e dy zonjave, bashkëpunëtorëve të ngushta të Ballukut si dhe në një zyrë. Njëra prej këtyre bashkëpunëtorëve, nuk është më në detyrë.
Nga informacionet e deritanishme çështja ka derivuar ndaj ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, që është pas hekurave nën akuzë zyrtare për ‘korrupsion’, shkelje të barazisë në tendera dhe akuza për pasurinë e tij.
Kanë derivuar dhe disa çështje të tjera, që kanë të bëjnë me kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci dhe disa zyrtarë të lartë të tjerë, si Gentian Gjyli, që lidhen me detyra në OSHEE dhe KESH. Fakti që i është bërë me dije zonjës Balluku se po hetohet për tendera, është e paqartë se për çfarë po hetohet. Ajo ka statusin e personit nën hetim.
Fakti që është ftuar në SPAK ditën e hënë, të jetë e shoqëruar nga një avokat, nënkupton se mund t’i komunikohet apo bëhet me dije një akuzë penale. Sipas Lalës, me gjasë mund t’i komunikohet akuza e shkeljes së barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim.




