Personat që shihni në foto janë Indrit Ismaillari dhe Fili Shehu. Pasditen e kësaj të marte, Ismaillari, 34 vjeç u vra me thikë nga kolegu i tij 41-vjeçar.
Ngjarja e rëndë u regjistruar në ambientet e lokalit “City Lounge” në zonën e Komunës së Parisit, ku të dy punon.
Sipas informacioneve të siguruara deri më tani mësohet se shkak i kësaj ngjarje të jenë bërë debatet e njëpasnjëshme mes Ismaillarit dhe Shehut. Burime për mediat bëjnë me dije se viktima dhe autori kanë qenë duke gatuar në momentin kur dhe ndodhi ngjarja dhe debati mes tyre ka nisur për tasin e proshutës.
Ismaillari u godit tri herë me thikë nga Shehu, një herë në qafë dhe dy herë në bark, plagë të cilat i morën jetën pasi mbërriti në spital.
Menjëherë pas kësaj ngjarje Policia bëri të mundur arrestimin e 41-vjeçarit i cili nuk bëri rezistencë dhe iu bind urdhrit të efektivëve.
Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, 41-vjeçari me profesion picajol në këtë biznes, ka treguar se kolegu i tij e bullizonte vazhdimisht.

“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit. Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital, si pasojë e plagëve.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar, shtetasi F. Sh., është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, menjëherë pas ngjarjes. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit”, njoftoi Policia më herët.
Një mesazh ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania pas ngjarjes së rëndë të ndodhur te Komuna e Parisit, ku një picier u vra me thikë pas një sherri absurd për një tas proshute. Qytetari që ka dërguar mesazhin ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj Policisë së Tiranës, duke pretenduar se lokali ku ndodhi krimi frekuentohet rregullisht nga efektivë policie dhe vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Në mesazhin e tij, qytetari shkruan:
“Përshëndetje JOQ, te ky lokali që u vra picieri te Komuna e Parisit rrin gjithë policia e Tiranës dhe drejtori i Tiranës, se ka shtëpinë Elton Alushi. Drejtori i Tiranës që ka banesën dhe pi kafen te ky restorant nuk parandaloi ngjarjen. Policia si mision ka parandalimin, dokumentimin dhe zbulimin e ngjarjeve. Është me ligj.”
Ky mesazh ka ngritur një sërë pyetjesh të forta që shkojnë përtej vetë ngjarjes: si është e mundur që një vrasje e tillë ndodh në një zonë që, sipas qytetarëve, është nën “hundën” e policisë? Nëse lokali frekuentohet përditë nga efektivë dhe drejtues të policisë, pse nuk ka pasur asnjë ndërhyrje parandaluese, sidomos kur konflikti, sipas dëshmitarëve, nisi me tone të larta dhe mund të ishte shmangur?
Në reagimet e shumta në rrjet, qytetarët shprehin zhgënjim dhe zemërim për atë që e shohin si dështim të sistemit të sigurisë publike. Sipas tyre, kjo ngjarje është tregues i një realiteti ku policia është më e pranishme në lokale sesa në terren për të parandaluar krimin.
Ndërkohë, deri më tani Policia e Shtetit nuk ka dhënë një reagim lidhur me këtë denoncim publik. Por fakti që një vrasje ndodh në një nga zonat më të populluara dhe të frekuentuara të Tiranës, mes lokaleve ku shkojnë përditë edhe uniformat blu, ka bërë që shumë të pyesin: Nëse siguria mungon aty, ku duhet ta ndiejë qytetari i thjeshtë veten të mbrojtur?
Ngjarja e Komunës së Parisit, ashtu si ajo në Berat apo Durrës, po shndërrohet në një simbol të mungesës së parandalimit, aty ku shteti duhet të ishte më i dukshëm dhe më i pranishëm. Një tragjedi që ndodhi në sy të të gjithëve dhe që, për shumë qytetarë, mund të ishte shmangur me pak vëmendje më shumë nga ata që paguhen për ta parandaluar.




