Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjinë, Belinda Balluku, duket se po kalon ditët më të vështira të karrierës së saj politike. Vetëm pak ditë pasi u zbulua se është nën hetim nga SPAK, Balluku është shfaqur publikisht me sy të nxirë, duke ngritur dyshime dhe aludime të shumta për arsyen e këtij ndryshimi të dukshëm në pamjen e saj.
Pamjet janë bërë publike nga vetë Balluku në një video ku ajo prezanton drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliun. Por në vend që të komentohej për përmbajtjen e videos, vëmendja publike u përqendrua tek fytyra e saj e fryrë dhe me shenja të dukshme nën sy.
Komentet dhe teoritë nisën menjëherë: a është fjala për një rrahje, për një komplikacion pas një ndërhyrjeje estetike (botox apo filler), apo për një tentativë për të dalë në publik para se të shërohej, në mënyrë që të shmangte zërat mbi hetimin që po i bën SPAK-u?
Burime pranë prokurorisë konfirmojnë se SPAK ka thirrur zyrtarisht Ballukun për t’u paraqitur para prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, i cili e ka ftuar atë të vijë e asistuar nga një avokat mbrojtës – një shenjë e qartë se hetimi mund të ketë kaluar në fazën e komunikimit të akuzës penale.
Thirrja e parë, e planifikuar për ditën e hënë, nuk u respektua nga zëvendëskryeministrja, pasi ajo ndodhej jashtë vendit. Megjithatë, një fletëthirrje e dytë është lëshuar për ditën e premte, ku pritet që Balluku të shfaqet përpara hetuesve të SPAK-ut për t’u marrë në pyetje në lidhje me çështje që lidhen me projektet e mëdha infrastrukturore dhe tenderat e energjisë.
Kombinimi i dy ngjarjeve – hetimi penal dhe shfaqja e saj me sy të nxirë – ka ndezur diskutime të forta në opinionin publik. Disa shprehen se Balluku mund të ketë qenë viktimë e një incidenti fizik në rrethana të paqarta, të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për efekte anësore të një ndërhyrjeje estetike që dështoi në momentin më të papërshtatshëm.
Ka edhe nga ata që dyshojnë se videoja u postua me nxitim për të dhënë idenë e “normalitetit”, në një kohë kur tensioni rreth hetimeve të SPAK po rritet.
Në mungesë të një deklarate zyrtare nga vetë Balluku, misteri rreth pamjes së saj dhe rrethanave të fundit mbetet i plotë, ndërsa çdo ditë shtohen pyetjet se çfarë po ndodh realisht me zëvendëskryeministren që deri dje shihej si një nga figurat më të forta dhe të mbrojtura të qeverisë Rama.
Në pritje të paraqitjes së saj të premten në SPAK, opinion publik dhe mediat po mbajnë sytë nga Belinda Balluku – për të parë nëse do të japë një shpjegim për shenjën në fytyrë, apo nëse do të përballet me shenjën e drejtësisë.




