Në një rrëfim tronditës përballë Grida Dumës në “Grida Duma Podcast”, këngëtarja Elsa Lila ka treguar për herë të parë se si mori lajmin e vrasjes së nënës së saj në vitin 1997, vetëm pesë muaj pasi ishte larguar nga Shqipëria me helikopterin e ambasadës italiane.
“Italia ishte burgu im i parë. Nuk më lejuan të kthehesha, kufijtë ishin të mbyllur. Doja vetëm ta shihja nënën, por nuk munda. E kam parë vetëm një gur kur u ktheva në tetor,” rrëfeu ajo.
Edhe sot, pas shumë vitesh, Elsa thotë se truri i saj nuk e ka pranuar ende humbjen: “E mendoj sikur është diku, në një kontinent tjetër, dhe po jeton jetën e saj.”
Në një bisedë shumë të ndjerë dhe emocionale në Grida Duma Podcast, këngëtarja Elsa Lila ka treguar për herë të parë si e përjetoi momentin kur u akuzua padrejtësisht në Itali.
“Ke një akuzë 20 vite e lart dhe gjëja e parë që mendova ishte: çfarë mund të kem bërë unë për ta merituar këtë? Ndoshta ndonjë gjobë e makinës, por s’vlen 20 vite,” tregoi këngëtarja për përjetimet e saj me karabinierët.
Elsa Lila tregon se si shtangu përballë prangave dhe dilemat që kaloi gjatë arrestimit: “Të gjithë kemi anë të errëta dhe të ndriçuara. Të gjithë kemi lënduar dikë, ndoshta pa dashje. Edhe unë nuk kam qenë gjithmonë e përsosur, por kurrsesi për të merituar burg”, tregoi këngëtarja.
Përjetimet për muajt në përballje me drejtësinë italiane, këngëtarja Elsa Lila i ka përshkruar edhe në librin e saj “Mirë se erdhe në Rebibbia”.
Elsa u përball që në moshë të vogël me një dhimbje të madhe: vdekjen e të ëmës, në rrethana të tmerrshme.
Nënën, violonisten Eva Vishaj e humbi në 1997, viti i trazirave; ajo u gjet në grahmat e fundit të jetës e qëlluar me plumb në kokë.
Për këtë vrasje, më vonë u akuzua Albenc Ago. Eva punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes.
Ajo kishte mundur të punësohej për shkak të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit.
Duke qenë se ishte e divorcuar, Vishaj jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”.
Mbi motivin e gjestit të tij, nuk u hodh asnjëherë dritë plotësisht, ndersa Elsës i solli një vuajtje që e shënjoi për të gjithë jetën.
Si ndodhi vrasja
Historia e vrasjes së Eva Vishajt, zë fill më 23 maj 1997, kur ajo u gjet e pajetë, e qëlluar me një plumb në kokë pranë kilometrit të 29-të, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Hetimet për këtë ngjarje u rihapën vite më vonë dhe, në vitin 2004, Prokuroria akuzoi Albenc Agon si autor të vrasjes.
Ai u gjykua në mungesë dhe më 1 dhjetor 2005, një treshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni e deklaruan të fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Në bashkim të dënimeve, Ago u dënua me 20 vjet burg.
Në këtë vendim, Gjykata e kryeqytetit arsyetonte: “Persona që njiheshin me të, po atë ditë e kanë parë viktimën Eva Vishaj në makinë tip ‘Mitsubishi’, ngjyrë qielli, që po udhëtonte në drejtim të Rrugës së Elbasanit pikërisht tek Liceu Artistik, makinë që po drejtohej nga ana e të pandehurit Albenc Ago dhe që midis të dyve rezultonte se kishte marrëdhënie të acaruara, fakt që është vënë re nga ana e këtyre dëshmitarëve”.
Pas këtij vendimi, Ago u arrestua në Itali dhe u ekstradua në Shqipëri. Në maj 2008, Gjykata e Tiranës pranoi rivendosjen në afat të dosjes.
Pas një rishqyrtimi të pjesshëm, më 17 dhjetor 2008, Apeli la në fuqi vendimin me 20 vjet burg. Rekursi i këtij vendimi nga ana e Agos nuk u pranua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Më pas, Ago iu drejtua Kushtetueses, e cila në nëntor 2012 e ktheu dosjen për rishqyrtim në Apel.
 
   
   
   
   
   
   
   
   
  



