Kryetari i bashkisë së qytetit të Uruapan, Carlos Manzo, u vra të shtunën gjatë një sulmi të dhunshëm që ndodhi gjatë festimeve tradicionale të Ditës së të Vdekurve në qytet.
Sipas autoriteteve meksikane, një grup i armatosur hapi zjarr ndaj Manzos në mes të një aktiviteti në sheshin kryesor të qytetit.
“Dy persona të përfshirë në sulm janë arrestuar nga autoritetet lokale dhe një tjetër është vrarë,” njoftoi Sekretaria e Sigurisë dhe Mbrojtjes Qytetare e Meksikës.
Shteti i Michoacán-it, ku ndodhet Uruapan-i, prej vitesh është skenë e përplasjeve të dhunshme mes karteleve të drogës që veprojnë në rajon.
Në rrjetet sociale qarkullojnë disa video që tregojnë momentin e sulmit, i cili ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ndërsa qindra njerëz të pranishëm në festë u panë duke vrapuar për t’u larguar nga të shtënat.
Guvernatori i shtetit, Alfredo Ramírez Bedolla, dënoi ashpër ngjarjen duke deklaruar:
“Dënojmë me forcë atentatin e ulët në të cilin humbi jetën kryetari i bashkisë së Uruapan-it, Carlos Manzo. Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është neutralizuar. Të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë për hetimin e menjëhershëm të ngjarjes.”




