Më 31 tetor 2025, politika shqiptare u trondit nga një zhvillim i bujshëm që vuri në qendër të vëmendjes një nga figurat më të fuqishme të qeverisë Rama: zv/kryeministren Belinda Ballukun. Në të njëjtën ditë kur SPAK e shpalli “të pandehur” për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera e ankande publike”, u shfaq në SPAK zyrtari i lartë amerikan, Mark Fleming, zëvendës ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë. Vizita e tij në selinë e Prokurorisë së Posaçme, në një ditë simbolikisht dramatike për qeverinë shqiptare, nuk ishte aspak rastësi. Burime bëjnë të ditur se SHBA janë të shqetësuara prej kohësh për dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë dhe sigurisë kombëtare nga abuzimet e Ballukut. Nga koncesionet strategjike me kompani të huaja me origjinë të dyshimtë, deri te procedurat e manipuluara të tenderave publikë, figura e saj ka qenë në qendër të shumë aferave që tashmë po marrin trajtë penale.
E pandehura më e fuqishme e qeverisë
Vendimi i SPAK për ta marrë të pandehur Belinda Ballukun shënon një moment të paprecedent në historinë e qeverisjes Rama. Për herë të parë, zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, përballet zyrtarisht me drejtësinë për një akuzë penale, e cila, edhe pse formalisht e klasifikuar si e lehtë, përbën goditjen më të madhe politike për kabinetin aktual. SPAK e akuzon Ballukun për shkelje të rregullave të konkurrencës në tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, një projekt me fond limit 180 milionë euro.
Hetimet kanë zbuluar se procedurat janë manipuluar për të favorizuar një grup të caktuar kompanish të lidhura me qarqe klienteliste pranë qeverisë, përfshirë njerëz të ngushtë të presidentit turk Erdogan. Sipas dosjes, ndryshimet në kriteret teknike, përjashtimi i ofertuesve realë dhe ndërhyrjet e drejtpërdrejta politike e kanë kthyer tenderin në një shembull tipik të shpërdorimit të parave publike. Balluku e ka kryer veprën “në bashkëpunim”, çka përbën rrethanë rënduese, edhe pse ligji e parashikon me një dënim nga 1 deri në 5 vjet burg. Por përtej aspektit penal, rënia e saj ka efekte të drejtpërdrejta në arkitekturën e pushtetit të Edi Ramës, ku ajo ishte konsideruar “krahu i djathtë” dhe njeriu më i besuar i kryeministrit në menaxhimin e tenderave publikë.
Vizita misterioze e zyrtarit të DASH në SPAK
Në të njëjtën ditë që SPAK shpalli Ballukun të pandehur, në selinë e këtij institucioni zbriti Mark Fleming, një nga zyrtarët më me ndikim të Departamentit Amerikan të Shtetit për rajonin. Takimi me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, u zhvillua në mënyrë të mbyllur për mediat, por sipas burimeve, në axhendë ishin hetimet për korrupsionin e lartë dhe ndërhyrjet në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. SHBA janë të shqetësuara për projektet që cënojnë sigurinë kombëtare dhe hapësirën infrastrukturore të vendit, për shkak të lidhjeve që disa kontrata shtetërore kanë me kompani të huaja me kapital të dyshimtë, përfshirë rrjete të afërta me interesa ruse. Për diplomacinë amerikane, këto marrëveshje përbëjnë rrezik strategjik, pasi cenojnë pavarësinë dhe ndikimin perëndimor në Shqipëri.
Aeroportet dhe portet, aferat e Ballukut
Në sfondin e këtij alarmi, dosja tjetër e nxehtë që është në vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë, ka të bëjë me aferën e Aeroportit të Vlorës, ku Prokuroria e Tiranës dhe SPAK ka hapur hetime. Dyshohet se kjo aferë po shihet me kujdes nga shërbimet inteligjente partnere dhe ekspertë të FBI-së. Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se pas përplasjes me aksionerët, fshihet një zinxhir kompleks interesash që lidhen drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, përfshirë Belinda Ballukun, si nyja që ka lejuar depërtimin e interesave të huaja në projekte të ndjeshme infrastrukturore. Ajo që ka ngritur alarmin në qendrat perëndimore është fakti se Aeroporti i Vlorës përbën një kapacitet logjistik me rëndësi gjeostrategjike në Mesdhe.
Nëse kompanitë nën kontrollin e Pacollit apo bashkëpunëtorëve të tij përfundojnë në duar që lidhen me kapital rus apo euro-aziatik, rreziku nuk është më vetëm financiar apo korruptiv, por sigurisht kombëtar. Gjithashtu përfaqësues të opozitës kanë akuzuar Belinda Ballukun se nën drejtimin e saj Porti i Durrësit është kthyer në “strehë të sigurt për kartelet shqiptare të drogës”. Përveç kësaj, ka akuza nga mediat gjermane ndaj Ballukut si e përfshirë në aferën e Portit të Durrësit, duke favorizuar një kompani kroate fiktive dhe me lidhje të mundshme kriminale në Ekuador dhe Kolumbi.
Kujtojmë se SHBA, përmes të ngarkuarës me Punë në Tiranë, Nancy VanHorn, e kanë konsideruar së fundmi luftën ndaj organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës si një nga prioritetet kryesore për SHBA dhe Shqipërinë. “Siç kanë treguar hetimet, kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut, kartele që Presidenti Trump i ka përcaktuar si organizata terroriste; janë grupe që përmbytin Shtetet e Bashkuara dhe Europën me droga të paligjshme. Krimi dhe drogat e paligjshme kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare dhe Presidenti Trump ka kërkuar që çdo politikë dhe dollar ndihme të çojnë përpara interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, është thënë qartë në mesazhet e SHBA për qeverinë dhe drejtësinë shqiptare.



