“Tentova ta zhd*k, por për një si ajo nuk është e thjeshtë”, çfarë tha Enver Hoxha për Musine Kokalarin: Preferoi b*rgun dhe jo

DR.URAN BUTKA

Hulumtimin e studimin e veprës së panjohur të Musine Kokalarit e kam nisur qysh në vitin 1992, nëpër arkiva me dokumentet, ditarët, shënimet e veprat e saj dhe shkrova esenë “Mesazhi i Musine Kokalarit”, të cilën e kumtova në 16 shkurt 1993 në sallën e Kuvendit të Shqipërisë dhe e botova në librin tim të parë “Ringjallje, 1996”. Thuajse në çdo përvjetor të ditëlindjes së saj, kam kumtuar për ta ringjallur këtë figurë të jashtëzakonshme të letrave shqipe dhe të politikës, por të kryqëzuar e thuajse të harruar, duke gjetur çdo herë diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende të pazbuluar.

Për të ardhur te ky botim që sapo ka dalë në dritë: “Musine Kokalari një yllësi”, një studim shkencor, historik, letrar, eseistik, antropologjik dhe memuaristik me temën: Musine Kokalari, shëmbëlltyra e bukurisë, muzës, lirisë, qëndresës dhe amshimit. Pas këtij vëllimi studimor, vijnë në botimin e Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo” shtatë vëllime te tjerë që ngërthejnë veprën e plotë origjinale të Musine Kokalarit, pjesa më e madhe e së cilës përmban vepra të panjohura dhe të pabotuara të Musinesë, të zbuluara në fondet e arkivave dhe të familjes Kokalari. Një kolanë shumë e rëndësishme e veprës së jashtëzakonshme të intelektuales dhe shkrimtares së parë shqiptare, studiueses, etnografes dhe kritikes së njohur, mëtueses së flaktë të lirisë dhe demokracisë, luftëtares së paepur të të drejtave të femrës shqiptare të skllavëruar nga sistemi dhe nga shoqëria e kohës, politikanes që themeloi Partinë Socialdemokrate shqiptare, atdhetares, antifashistes dhe antikomunistes së spikatur (“Fashizmi dhe komunizmi s’kanë ndryshim mes tyre përderisa vrasin njeriun” – shkruan ajo. “Unë s’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky nuk mund të quhet faj. Ti fitove në zgjedhje – i thotë E.Hoxhës – mirëpo unë në burg nuk duhet të jem”.)

Dhe përjetoi pa asnjë faj 20 vjet burg dhe 18 vjet internim nga më të tmerrshmit që ka provuar ndonjëherë njeriu, duke qëndruar e patundur ne idealet e saj si një martire. Por mbeti e pavdekshme, një simbol i lirisë njerëzore dhe i lirisë së shkrimit. Ajo ishte dhe mbeti vetvetja në çdo çast të jetës: e vetme e nisi udhën e shkollimit universitar, e vetme atë të shkrimtarisë, e vetme atë të dashurisë, e vetme atë të politikës, e vetme atë të qëndresës, e vetme edhe atë të vdekjes. Por u shndërrua në një Yllësi. Një figurë emblematike, që do ta ngrinte në piedestal çdo komb i qytetëruar.

DISA MENDIME TË THUKTA NGA VEPRA “MUSINE KOKALARI NJË YLLËSI”:

• “Në odën time të vogël, përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë. Unë jam nxënësja e tyre”.

• “A nuk është kjo arsyeja që veprat individuale janë më të mira se ato të masave? Atëherë arrita në përfundimin vetëmevete që synimi më i mirë dhe më i madh është që të bëhemi të aftë për veten, kështu mund të ndihmojmë sinqerisht njerëzimin”

• “Megjithatë, nuk ndihesha vetëm, sepse nuk isha me të tjerë, isha me veten, e kuptuar nga vetja ime, duke u gjendur në botën vetjake, në botën individuale. Flisja lirshëm dhe haptas me zemrën time, në një bashkëbisedim të thellë, në një monolog të ëmbël. Dhe ja tek jam e lirë dhe e kënaqur. Ne e kërkojmë lirinë jashtë nesh dhe në fakt ajo gjendet brenda nesh”.

• “Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dyja palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj pozitives. Mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri, siç e dini dhe vetë, rrallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Letërsisë sonë që sot po bie poshtë ose po humbet dalëngadal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka pasur as frymë as kundërshtim mendimesh”.

• “Respekti për Lumo Skëndon është i pakufishëm. Dekalogu i Ballit Kombëtar ishte demokratik”.

• “Mbas Mbledhjes së Mukjes kam marrë pjesë në ‘Ballin Kombëtar’ si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut”.

• “Partia SocialDemokrate ka për qëllim kryesor të sigurojë drejtësi shoqërore dhe liri politike. Liria politike konsiston në sigurimin e të drejtës së çdo shtetasi që të ketë lirinë e mendimit, të fjalës, të shtypit, të iniciativës private dhe të votës”.

• “E vërteta që është gjithnjë pak e pëlqyeshme, bën mirë, si ilaç: shëron. Nëse nuk të pasuron, të bën të lirë dhe prandaj është e çmuar, e pakrahasueshme me çdo gjë tjetër”.

• “Dashuria nuk është tjetër veç një ndjenjë që jeton në vetvete e që ushqehet nga vetja, prandaj është vetjake. Kur thyhet, thyhet pa mllef. Ndoshta është momenti më bukur i dashurisë. Nëse dashuria është e bukur, siç thonë, më e bukur është akoma liria e shpirtit”.

• “U thyen prangat e robërisë për të lindur jeta e re, ku gruaja të mos jetë robinjë, por shoqe e jetës, të jetë përgjegjëse për veten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë për të drejtën që ka, si pjesë e pandarë e saj”.

• Musine Kokalari, ishte atdhetare dhe antifashiste.

•Një polemikë e saj me pushtuesit italianë:

-Ne kemi një mision historik: të qytetërojmë Shqipërinë.

-Ne nuk ju kemi thirrur. Ju erdhët me armë. Ne ju pritëm me armë. Na pushtuat.

-Ne do ta civilizojmë vendin, – thanë ata.

-As këtë s’jua kemi kërkuar, të na civilizoni me anën e pushtimit. Ne të rinjtë po mësojmë dhe po ne do ta civilizojmë vendin tonë, që ju e pushtuat.

-Jeni prapa botës.

-Kjo nuk është një arsye që pushtimin ta quajmë shpëtim.

• “Musolini rrëmbeu frenat e vendit e donte të kthente Italinë në perandorinë e dikurshme, duke pushtuar e vrarë popuj të pafajshëm. E prekur nga gjendja e atëhershme, nën pushtimin e saj, shihja tradhtitë dhe hapat prapa të njerëzimit, nga çakejtë e egër dhe të etur për lavdi rrobëronjëse”

• “Më gjeti çlirimi me pasigurinë e rrojtjes. Filloi tragjedia e individit demokrat, nënë diktaturën e proletariatit. Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste që mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e me mospërfillje”.

• “Komunizmi dhe fashizmi s’kanë ndryshim midis tyre, përderisa vrasin njeriun”.

• “Po ju do të më dënoni jo se kam bërë faj, po se ju komunistët nuk lejoni parti tjetër dhe gjeni sebep e thoni se doni të përmbysni pushtetin. Unë s’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ti fitove në zgjedhje, mirë po unë në burg nuk duhet të jem. Ti më arrestove e thua se jam fajtore. Atë s’e pranoj”.

• “Unë s’i kam kurrkujt borxh dhe askujt s’i kam kërkuar as ndihmë e as lehtësi, as jam ankuar, kur ata që të kanë në dorë, të varrosin për së gjalli 38 vjet me radhë pa të drejtë”.

• “Komunistët më varrosën për së gjalli, vetëm e vetëm se nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do kërkoja falje? Unë s’isha komuniste, isha demokrate dhe e shikoja demokracinë si nxënëse e Rilindjes, si dualitet politik. U dënova jo për faj. Por me mua donin të dënonin Rilindjen, vdekjen politike të saj”.

• “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste që të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste.

Unë e dua përparimin e tij. Ju mburremi se keni fituar luftën dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”.

• “Asnjë letër për falje s’ka dërguar që nga viti 1946, preferoi burgun si armike e Partisë dhe tani po vdes e vetme. U mundova ta zhduk, por nuk është e thjeshtë ta zhdukësh një njeri si ajo”, – Enver Hoxha.

• “Shkrimtarëve tanë u kufizohet liria e shkrimit, e pasqyrimit të realitetit dhe këta e dinë se po të shkruajnë atë që është, pa i bërë lustrime, Partia i godet. Kështu edhe shkrimtarët janë mësuar të shkruajnë gjëra të paqena, duke nxjerrë në pah gjoja drejtësinë e shtetit, gjoja lirinë e njerëzve, kur në fakt kjo në Shqipëri nuk ekziston fare, siç thuhet e lustrohet”. Musineja veçon dhe vlerëson pozitivisht Ismail Kadarenë, Bilal Xhaferrin, Zija Çelën e ndonjë shkrimtar tjetër.

• “Krijimtaria ime e shkurtër, pjesërisht e botuar, pjesërisht e humbur, u mbështet mbi tabanin kombëtar të shtratit etnik dhe në realitetin objektiv të kushteve të veçanta të zhvillimit të diferencuar”.

• “Ç’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pasur pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime. Vetëm të mos më humbasin dorëshkrimet. Tjetër gjë s’dua”.

• “Njoha kulturën demokratike. Njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special, njoha 16 vjet me përplasje sa andej, këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive, si bujqësinë dhe ndërtimin. Njoha vetminë e vetëkërkuar dhe shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pësojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit”.

• Veprën Musinesë e kanë vlerësuar mjaft autorë të shquar, të huaj dhe shqiptarë, që i kam vendosur libër. Disa vargje lapidare të bashkëthemeluesit të Partisë Socialdemokrate, nacionalistit, shkrimtarit dhe filozofit të mërguar, prof. Isuf Luzaj: “Odiseja jote pa shembull të përngjashme: Hëm Vashë, hëm Muzë, hëm Heroinë beteje, Çudite dhe trimat e asaj kohe rebele… Vjollcë nënë borë, nën dritën e hënës,

/Gazeta Panorama