Darkoi me Ruçin dhe Ballën para se të shtrohej në spital?! E vërteta e takimit të Fatos Nanos me dy politikanët e lartë të PS

Fotografia e mësipërme po shpërndahet me shpejtësi në disa media periferike online dhe aludohet se ajo është shkrepur pak ditë para se lideri historik dhe “arkitekti” i Partisë Socialiste të shtrohej në spital, ku më pas dhe ndërroi jetë.

Fatos Nano shihet mes Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës, i pari një ndër njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij në qeveri e opozitë, ndërsa edhe i dyti që në këtë rast është autor i “selfies”, ka qenë gjithashtu pjesë e rrugëtimit politik të Fatosit.

Madje, mediat në fjalë nuk kursenin as aludimet nga më të ndryshmet për arsyet e takimit.

Mirëpo, nga një verifikim i thjesht në internet që ka bërë newsbomb.al, rezulton se fotografia është shkrepur dy vite më parë, në një nga restorantet e Tiranës ku socialistët festuan 32 vjetorin e themelimit të partisë së tyre.

Darkoi me Ruçin dhe Ballën para se të shtrohej në spital?!

Fotografia origjinale: Ruçi, Nano dhe Balla – Qershor 2023 ne Tirane

Dhe Fatos Nano si ideator dhe transformues i saj nga Partia e Punës së Shqipërisë, nuk mund të mungonte në këtë aktivitet të rëndësishëm.

“Gëzuar ditëlindjen, PS”, shkruan Taulant Balla mbi këtë fotografi “selfie” që e ka publikuar në Qershor 2023 në llogarinë e tij në Facebook. Kjo rrëzon dhe lajmet e shpërndara ditët e fundit se fotografia është shkrepur në Tetor 2025, pak ditë para se Fatos Nano të shtrohej në spital.

Ish-kryeministri i Shqipërisë ndërroi jetë pasditen e 31 Tetorit 2025, në ambientet e një spitali privat ku trajtohej prej ditësh, për shkak të problemeve të rënda në mushkëri. Ai mbylli sytë përgjithmonë në moshën 73 vjeçare.

© Newsbomb.al