Fitorja e politikanit të majtë Zohran Mamdani në zgjedhjet lokale të Nju Jorkut ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe komunitetit shqiptar, sidomos pas publikimit të një fotografie ku ai shihet duke bërë simbolin e shqiponjës me duar.
Fotografia, që u bë virale në rrjet, është realizuar nga fotografi Erzen Gashi, i cili për Top Channel ka treguar prapaskenat e momentit. “Ka shokë shqiptarë, e ka parë që bëjnë shqiponjën ashtu edhe djali që është në foto me të i ka thënë a po e bëjmë shqiponjën për një foto? Edhe ashtu e ka lëshuar vetë”, tha ai.
Erzeni, 37-vjeçar i lindur në Slloveni dhe rritur në SHBA, me baba nga Kosova dhe nënë nga Mali i Zi, ka rrëfyer se takimi me Mamdanin ndodhi gjatë një aktiviteti të komunitetit shqiptar në New York. “Fotot e Mandamit që i kam bërë falë një shokut Dritan Fida që më thirri për një event me shqiptarët edhe i njeh se jemi shumë shqiptarë këtu, e donte të dinte më shumë. Duket i vërtetë si në video dhe foto, është njeri i mirë dhe i ëmbël… kollaj mund të flasësh me të, të bësh shoqëri me të,” shtoi ai.
Fitorja e Mamdanit, një të riu mysliman me prejardhje afrikano-indiane, është cilësuar historike në SHBA, ndërsa Erzeni tregon se komuniteti shqiptar në Nju Jork e ka pritur me entuziazëm. “Fola me të pak. I tregova që jam mysliman, që jam emigrant. Mua më duket sikur shqiptarët janë për të, kanë besim. Ka kohë që s’ka pasur një atmosferë kaq të mirë… tash emigrantët kanë frikë në krejt Amerikën dhe kemi besim se do na mbrojë,” ka përfunduar Gashi.
Ndërkohë, edhe politikanja e njohur e majtë Alexandria Ocasio-Cortez (AOC) ka marrë pjesë së fundmi në një aktivitet të organizuar nga komuniteti shqiptar, duke treguar edhe një herë lidhjen gjithnjë e më të fortë mes këtij komuniteti dhe përfaqësuesve progresistë amerikanë. /Prive By Liberta Spahiu




