Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur hapur për herë të parë për marrëdhënien e tij me moderatoren dhe politikanen Grida Duma, duke i dhënë fund thashethemeve që prej kohësh kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale.
Në një intervistë për emisionin “Top Arena Report” të Ronaldo Sharkës, i njohur për pyetjet e tij të drejtpërdrejta dhe provokuese, Salianji nuk u përpoq të shmangë temën delikate, përkundrazi — u shpreh me krenari dhe sinqeritet për lidhjen e tij me Dumën, duke e cilësuar si një njeri shumë të rëndësishëm në jetën e tij.
“Jam shumë. Është fat dhe pjesë e krenarisë dhe botëkuptimit të asaj që unë jam. E kam mbajtur gjithmonë jetën personale të kufizuar në diskutimet publike, por pa diskutim që mund të them se është pjesë e rëndësishme, madje pjesa më e rëndësishme e imja,” – tha ai, duke konfirmuar publikisht marrëdhënien për herë të parë.
Kur u pyet nga Sharkës nëse e mendon martesën me Grida Dumën, Salianji dha një përgjigje që tregoi filozofinë e tij mbi dashurinë dhe raportet në çift:
“Unë mendoj se dashuria duhet jetuar në të gjitha format e saj. Njeriu duhet të jetë i lirë dhe të zgjedhë rrugën e vet. Nuk bën vetëm martesa që dy njerëz të jenë bashkë. Bashkëjetesa nuk bën ndonjë ndryshim.”
Duke folur më tej për mënyrën si e përjeton dashurinë, ish-deputeti u shpreh se është një njeri besimtar që beson në Zot dhe në ndjenjat e sinqerta, duke shtuar se për të marrëdhënia nuk është një kontratë, por një përvojë shpirtërore dhe e gjallë.
“Unë futem tek njerëzit besimtarë. Besoj në Zot dhe besoj se dashuria ekziston, nuk është vetëm në libra. Nuk e shoh si diçka kontratuale. Për mua është e rëndësishme kimia, ndjesia, energjia që ndan me personin tjetër.”
Deklaratat e Salianjit kanë shkaktuar jehonë të madhe në rrjetet sociale dhe në mediat rozë, pasi për një kohë të gjatë marrëdhënia e tij me Grida Dumën ka qenë temë përflitjesh e aludimesh, të cilat asnjëri prej tyre nuk i kishte konfirmuar zyrtarisht.
Salianji, i njohur për retorikën e tij politike të ashpër në opozitë, këtë herë u shfaq më i qetë, më i hapur dhe emocional, duke treguar një anë tjetër të tij që rrallëherë e ka bërë publike.
Ndërkohë, Grida Duma, e cila aktualisht vijon karrierën e saj në media pas largimit nga politika aktive, nuk ka bërë ende një reagim publik mbi fjalët e partnerit të saj, por fansat në rrjetet sociale kanë mbushur komentet me urime dhe mesazhe mbështetëse, duke i cilësuar si një ndër çiftet më simpatikë të jetës publike shqiptare.




