Ish-kryeparlamentari dhe socialisti Namik Dokle, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” deklaroi se lajmin për vdekjen e ish-kryeminsitrit dhe mikut të tij Fatos Nanos e priste ditët e fundit. Dokle theksoi se Nano do të mbetet figura kryesore në PS.
“E di që gjithmonë në raste të tilla ka njerëz që thonë realitetin, ka të tjerë që thonë superlativa, apo edhe njerëz që flasin pa doganë.
Është dëshpërues kur shikon dy ekstremet kur nuk janë brenda realitetit. Lajmin e dija sepse komunikoja me mikun tim Leonard Solis që është miku im i përbashkët dhe i Fatosit. Dhe herë e pyesja unë si është gjendja dhe kuptohet që gjendja në ditët e fundit erdhi duke u përkeqësuar.
Unë mendoj se për Nanon u fol, si u fol nuk duhet të bëhet pjesë e politikës së ditës. Nëse një figurë do të flitet në politikën e ditës ajo do të fshihet në një kalesdokop të shtrembëruar.
Më mirë se gjithçka tjetër do ta thotë historia. Historia mund ta lërë jashtë dikë nga kuadri i vetë, Fatos Nano absolutisht në historinë e PS do të mbetet një nga figurat qëndrore. Ishte figura kryesore e PS, ishte kryetar për 14 vjet me radhë. Ishte kontributor i madh për reformimin e PS.
Dhe ai ishte me idenë se pa reformuar partitë politike nuk mund reformohet jeta e vendit. Pa demokraci brenda partive nuk mund të ketë demokraci në jetën e vendit”, theksoi Dokle.




