Romani përshkruan historinë e një shkrimtari i cili pas shumë peripecive vendos të bëhet mysliman.
Merr fund misteri lidhur me librin më të ri të Ben Blushit. Prej disa ditësh shkrimtari e ka paralajmëruar hedhjen në treg të një libri të ri, por ishte mister titulli. Blushi pak më parë ka njoftuar se libri i tij titullohet “Jam Mysliman”.
Vetë Blushi shkruan se Romani përshkruan historinë e një shkrimtari i cili pas shumë peripecive vendos të bëhet mysliman. Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë gradualisht për shkak të disa luhatjeve në jetën e tij private dhe sidomos gjatë një vizite në Mekë ku ai mrekullohet.
Ashtu siç Blushi e ka thënë më herët, libri pritet të shkaktojë polemika dhe debat. Madje shkrimtari ka thënë se ka pasur shumë nga ata që kanë ndërhyrë për të mos lejuar botimin e tij.
Postimi i plotë i Blushit
E di që shumë njerëz do habiten me titullin e romanit tim të ri po nuk është kjo arsyeja pse e kam shkruar.
Unë jam një ateist dhe fjalia Jam Mysliman duket sikur nuk shkon në gojën time.
E megjithatë unë mendoj se shkon.
Nuk ka asnjë fjali që një shkrimtar nuk mund ta thotë me gojën e personazheve të vet.
Romani përshkruan historinë e një shkrimtari i cili pas shumë peripecive vendos të bëhet mysliman.
Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë gradualisht për shkak të disa luhatjeve në jetën e tij private dhe sidomos gjatë një vizite në Mekë ku ai mrekullohet.
Në fund, pas një incidenti me një grup fanatikësh, shkrimtari shpall në Facebook vendimin e tij me shënimin: Jam Mysliman.
Kjo fjali i ka dhënë dhe titullin librit.
Shpresoj shumë që romani të lexohet siç është, pra si letërsi dhe asgjë tjetër.
Jam Mysliman do promovohet të hënën pasdite dhe duke nisur nga e marta do jetë në çdo librari si dhe në Panairin e Librit.




