E bujshme! Dy kandidatët marrin vota të barabarta, shorti vendos kush do drejtojë bashkinë

Në Japoni, fati ka vendosur rezultatin e zgjedhjeve bashkiake, në qytetin e  Kamisu-së.

Kryetari i ri i bashkisë u zgjodh me short, pasi dy pretendentët morën saktësisht të njëjtin numër votash. Kjo ngjarje jashtëzakonisht e rrallë në historinë zgjedhore të vendit përfshinte kandidatin e pavarur Toshiyuki Kiuchi , i cili doli fitues, dhe kryetarin aktual të bashkisë Susumu Ishida .

Të dy morën nga 16,724 vota , një barazim i përsosur që sipas ligjit zgjedhor japonez duhet të zgjidhet me short të rastësishëm për të përcaktuar fituesin.

“Prisja një garë të ngushtë, por nuk e imagjinoja se do të përfundonim në një garë të barabartë “, tha Kiuchi pas shortit.

Megjithatë, kryetari i bashkisë në largim nuk ka ndërmend të dorëzohet. Ishida ka njoftuar se do të paraqesë një apel zyrtar pranë komisionit zgjedhor për të kërkuar rinumërimin e fletëvotimeve.

Sistemi zgjedhor japonez parashikon, në rast të një barazimi të plotë, një metodë përzgjedhjeje të rastësishme për të përcaktuar fituesin. Ligji përcakton që, nëse pas numërimit dhe verifikimit zyrtar, nuk dalin dallime midis kandidatëve, rezultati vendoset nëpërmjet një shorti të administruar nga autoritetet lokale.

Kjo procedurë e zhvilluar publikisht konsiderohet transparente dhe e paanshme, por rrallë zbatohet. Rasti i fundit i njohur daton më shumë se dhjetë vjet më parë, në zgjedhjet komunale në një prefekturë rurale. (A2 Televizion)