Një rrëfim i vetëm, i dhënë live në një studio televizive, mjaftoi për të tronditur themelin e të ashtuquajturave organizata të “mbrojtjes” së komunitetit LGBT+ në Shqipëri. Transgjinorja Luana Myrto, në një deklaratë rrëqethëse gjatë emisionit “Review” në Euronews Albania, foli për abuzim, manipulim, presion psikologjik dhe shfrytëzim të të miturve nën pretekstin e “strehimit dhe mbështetjes.” Por historia nuk ndalet këtu: ajo ka hapur një zinxhir reagimesh, përplasje publike, akuza për trafikim dhe kërcënime që po zhveshin nga çdo fasadë një realitet të errët institucional e politik.
“Më morën nga familja, LGBT-ja pra, më futi te streha. Isha me 10-ta në nota, në gjimnaz dhe më premtuan se do më fusnin në shkollë… dhe më lanë. Më premtuan se do të vazhdoja shkollën, dhe më morën e më çuan te kjo streha e LGBT nën moshë. Familja ishte e varfër. Ka ndodhur në vitin 2018, isha 14 vjeç. Do kisha trokitur diku tjetër dhe jo te këta. Isha pa suport, sepse këta këto gjejnë, këtu fillon. Që i kapin këto në rrjetat e tyre. Je në trupin e gabuar, ne nuk të shohim grua ty deri sa të marrësh hormone. I merrnin nga 16, 14, 13 vjeç.”
![]()
Ky është një denoncim i drejtpërdrejtë për abuzim me të mitur, i cili sipas nenit 124/b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përbën shkelje të rëndë që ndëshkohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet.
Nëse vërtetohet se ndërhyrjet mjekësore janë kryer pa pëlqimin e prindërve, kemi shkelje shtesë të nenit 88 të Kodit të Familjes, që garanton të drejtën prindërore për çdo vendimmarrje shëndetësore mbi fëmijën.
Dhe nëse ka pasur ndikim psikologjik për ta shtyrë drejt ndryshimit gjinor, përbën abuzim të statusit të kujdestarisë, i cili dënohet nga neni 125/a i Kodit Penal, deri në 7 vjet burgim.
Luana vazhdoi:
“Na premtonin që do na blinin telefon, që do na siguronin kushte më të mira, por as rroba të përdorura nuk na jepnin! Më lanë në mëshirë të fatit dhe nëse do kisha qëndruar atje, do shkoja drejt prostitucionit, ashtu siç kanë bërë me shumë të tjera. Ata marrin miliarda në emër të mbrojtjes së komunitetit, por nuk ngrejnë asnjë institucion real që të ndihmojë njerëzit që janë vërtet në nevojë. Këta njerëz duhet të jenë pas hekurave.”
Mashtrim, shfrytëzim, dhe përfitim i fondeve në emër të “tolerancës.”
Nëse akuzat për trafikim, përfitim të padrejtë dhe manipulim ekonomik konfirmohen, kemi të bëjmë me shkelje të nenit 110/a të Kodit Penal (trafikimi i personave) dhe nenit 143 (mashtrim), që mund të çojnë në dënime deri në 15 vjet burg në rast abuzimi me persona vulnerabël.
Në anën tjetër, Shoqata “Streha” reagoi duke mohuar gjithçka, duke pretenduar se Luana nuk është “marrë nga familja,” por është vendosur në qendër me vendim të Shërbimit Social Shtetëror, në moshën 16 vjeçare, pas një situate rreziku për trafikim.
Në deklaratën e tyre thuhet se vendosja ka qenë “përjashtimore dhe e përkohshme,” sepse qendra punon vetëm me të rritur, dhe se çdo gjë është dokumentuar ligjërisht. Shoqata fton madje Prokurorinë të nisë hetime, duke theksuar se “çdo veprim është i verifikueshëm në dosjen individuale.”
Një organizatë që merr fonde shtetërore dhe ndërkombëtare për “mbrojtjen e personave LGBT në rrezik” është akuzuar publikisht për abuzim me të mitur… dhe shteti hesht.
Pas publikimit të deklaratës së “Strehës”, Luana reagoi sërish me tone të forta, duke akuzuar se “nga një qendër sociale janë kthyer në qendër trafiku droge, dhe disa nga pjesëtarët e saj janë në burg.”
Ajo i ftoi publikisht përballë gjykatës, duke i sfiduar:
“Mos më bëni të flas se sa veta keni në burg nga qendra Streha për trafik droge… Ndërsa këtyre zonjave të ambasadave bujrum në gjykatë të verifikojmë llogaritë dhe transfertat bankare.”
Gjatë pushimit të publicitetit në të njëjtin emision, aktivistja Elsa Ballauri, drejtuese e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe përkrahëse e projektligjit për “më shumë se dy gjini,” e ka kërcënuar Luana Myrton me fjalët “do të të fundos” dhe ka lënë në mes emisionin.
Një fjali që, nëse provohet, përbën kërcënim penal sipas nenit 84 të Kodit Penal, me dënim deri në 3 vjet burgim.
![]()
Por heshtja pasoi. As policia, as Prokuroria, as Ministria e Brendshme nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim verifikues, ndonëse rasti është tashmë publik dhe filmimi ekziston.
Sipas nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, organet e rendit janë të detyruara të nisin hetim sapo të kenë dijeni për një vepër penale të dyshuar, edhe pa kallëzim të drejtpërdrejtë. Këtu, duket qartë shkelje e detyrës.
Në këtë situatë, një ndër të paktët që ka reaguar është pastori Akil Pano, i cili publikisht ka bërë thirrje që policia të marrë në mbrojtje Luana Myrton.
“Kjo vajzë duhet mbrojtur menjëherë. Ajo është kërcënuar live dhe askush nuk reagon. Ky është turp për një shtet që pretendon se mbron të drejtat e njeriut.”
![]()
Në këtë pikë, situata është politikisht e kapur.
Policia e varur nga qeveria nuk reagon ndaj një rasti që prek një temë të mbrojtur nga vetë pushteti, i cili në parlament po miraton ligje që shkojnë përtej dy gjinive biologjike.
Kur organet e drejtësisë i shmangen detyrimit ligjor për hetim vetëm sepse denoncimi vjen kundër strukturave “të preferuara” të qeverisë dhe ambasadave, tregohet hapur kapja e institucioneve.
Kujtojmë se disa ditë më parë bëri bujë edhe rrëfimi i Elton Ilirjanit, një nga figurat më të njohura të komunitetit LGBT, që publikisht deklaroi:
“Në të gjithë botën kanë interesa financiare. Nuk besoj se këtu ka përjashtim. Nuk besoj se ka një shoqatë shqiptare që vetë-financohet, apo jo?”
Dhe më tej: “Unë ndoshta hyj në sherr me ata që vetëquhen ‘drejtues’ të komunitetit LGBT. Komuniteti nuk ka drejtues, se nuk janë bërë zgjedhje.”
Në deklaratat e tij të plota, Ilirjani e thekson: “Ka dy gjini: mashkull, femër. Gjinitë e tjera janë çështje politike, e majta ekstreme, çështje interesash financiare.”
Këto fjalë, të ardhura nga një person që për vite është identifikuar si përfaqësues i komunitetit queer, janë rrëfim nga brenda sistemit, një pranim i hapur se “kauzat” janë kthyer në industri fondesh dhe pushteti, pa llogaridhënie, pa zgjedhje, pa transparencë.
Nga njëra anë kemi aktivistë që pretendojnë “barazi gjinore,” nga ana tjetër kemi një vajzë transgjinore që thotë se e kanë keqpërdorur, një pastor që kërkon mbrojtje për të, një publik të tronditur dhe një shtet që hesht. Kjo është pamja e vërtetë e Shqipërisë progresiste të vitit 2025: një vend ku flamuri i ylberit përdoret si perde për të mbuluar rrjete fondesh, manipulimesh dhe privilegjesh të mbështetura nga politika.
Nga ana ligjore, ky rast kërkon hetim për:
– Abuzim me të mitur (neni 124/b),
– Ndërhyrje mjekësore pa pëlqim prindëror (neni 88 i Kodit të Familjes),
– Mashtrim dhe përfitim të padrejtë (neni 143),
– Trafikim i personave vulnerabël (neni 110/a),
– Kërcënim dhe pengim i denoncimit (neni 84 dhe neni 301),
– dhe mosveprim i policisë (neni 248 – Shpërdorimi i detyrës).
Rasti i Luanës është tregues i një realiteti ku individët e brishtë, shpesh të varfër, të përjashtuar ose pa familje, bëhen pre e një sistemi që përdor idealet për të ushqyer burokracitë dhe fondet e vetvetes.
Jo vetëm për identitetin apo ideologjinë, ky është një debat edhe për fëmijët, për ata që nuk kanë zë, që nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë dhe që mund të bien lehtë në duart e kujtdo që shfaqet si “shpëtimtar.”
Nëse një fëmijë 14 vjeç mund të merret nga familja dhe të futet në një sistem që askush nuk e kontrollon, nëse institucionet që duhet të mbrojnë heshtin, ndërsa organizatat që përfitojnë fonde justifikohen, atëherë çfarë garancie mbetet për fëmijët e këtij vendi?
Shteti ynë nuk mbron të miturin, ligji kthehet në dekor politik, ndërgjegjja publike mbyll sytë përballë abuzimit.
Një provë morale e një shoqërie që po sheh abuzimin në sy dhe nuk guxon të flasë…
/ICONSTYLE




