Mjeku Prifti nxorri studimin që v*ksina e Covid shkakton Kancer! Reagon ashpër Mjeku Dashi: Nuk ka shans që t*moret të

Një debat i fortë është ndezur në rrjetet sociale pas publikimit nga kardiokirurgu Edvin Prifti të një studimi që, sipas tij, hedh dritë mbi rreziqet afatgjata të vaksinave kundër Covid-19. Prifti, i njohur për qëndrimet kritike ndaj vaksinimit masiv, ka shpërndarë një kërkim të realizuar në Korenë e Jugut, i cili – sipas interpretimit të tij – “vërteton paralajmërimet” që ai ka dhënë prej kohësh.

Sipas shkrimit të tij, studimi i Prof. Kim et al., i zhvilluar mbi 8 milionë persona, tregon një “rritje prej 50 % të rasteve me tumore te të vaksinuarit” krahasuar me të pavaksinuarit. Tumoret e raportuara më të shpeshta, sipas postimit të Priftit, ishin ato të tiroides, stomakut, mushkërive, zorrës së trashë, gjirit dhe vezoreve.

“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse urrejtjes ndaj njeriut. Një holokaust pa asnjë diskriminim,” – ka shkruar Prifti, duke e cilësuar vaksinimin masiv si një akt me pasoja të rënda për njerëzimin.

Mjeku kujton se menjëherë pas botimit të një shkrimi të tij profesional në gazetën Panorama, ku shprehte dyshime mbi efektet afatgjata të vaksinave, ndaj tij u hap një hetim nga SPAK, të cilin ai e konsideron të motivuar politikisht.

Reagimi i mjekut Erion Dashi: “Ky interpretim është i pasaktë dhe i rrezikshëm”

Në rrjetet sociale reagoi menjëherë mjeku Erion Dashi ne postimin e Gazetarit te HASHTAG.AL Habjon Hasani, i cili kritikoi ashpër përhapjen e interpretimit të studimit korean, duke theksuar se një informacion i tillë i pakonfirmuar mund të krijojë panik te publiku.

“Ti je gazetar i ndjekur dhe dëmi që mund të bësh duke shpërndarë lajme të pasakta është goxha i madh,” – shkruan Dashi në reagimin e tij.

Ai sqaron se tumoret e përmendura në artikull janë tumore që zhvillohen për vite apo dekada, dhe është e pamundur që ato të shkaktohen brenda një apo dy vjetësh nga një vaksinë.

“Nuk ka pothuajse asnjë tumor që të zhvillohet brenda një viti nga ekspozimi edhe ndaj faktorit më të rrezikshëm kancerogjen. Të thuash se vaksina shkakton kancer në këtë periudhë është e pabesueshme dhe nuk përputhet me asnjë mekanizëm të njohur deri më sot,” – shpjegon Dashi.

Ai shton se duhet bërë dallimi midis lidhjes statistikore dhe shkakësisë reale:

“Njerëzit që vaksinohen janë zakonisht ata që përdorin më shumë shërbime shëndetësore, bëjnë check-up më të shpeshta dhe depistime për tumore. Pra, ata kanë më shumë gjasa t’i zbulojnë tumoret më herët – kjo mund të shpjegojë edhe ‘rritjen’ e rasteve.”

Thirrje për kujdes dhe bazim te shkenca

Dashi përfundon reagimin e tij me një thirrje për të shmangur teoritë konspirative dhe për t’u mbështetur te faktet shkencore:

“Uroj që të nisim të merremi me sa më pak konspiracion dhe me sa më shumë shkencë.”

Ndërkohë, debati në rrjete sociale mes dy mjekëve ka marrë jehonë të gjerë, duke ndarë opinionin publik në dy kampe — ata që besojnë se vaksinat duhen rivlerësuar për efektet afatgjata dhe ata që i konsiderojnë këto pretendime si të pabazuara dhe të rrezikshme për shëndetin publik.

Ekspertët e epidemiologjisë ndërkohë theksojnë se çdo studim i izoluar duhet lexuar me kujdes metodologjik, pasi nuk mjafton për të ndryshuar konsensusin shkencor botëror, sipas të cilit vaksinat anti-Covid kanë shpëtuar miliona jetë dhe nuk ka prova që shkaktojnë kancer.