Emiljano Shullazi, nuk është paraqitur ditën e sotme në seancën gjyqësore për dosjen “Revanshi”. Mungesa e tij vjen vetëm një ditë pas vrasjes së Gilmando Danit, mikut të ngushtë dhe krahut të djathtë të Shullazit, i cili u ekzekutua pasditen e së martës në rrethrrotullimin e Rinasit.
Dani, i cili thuhet se kishte marrë kontrollin e rrjetit të mbetur të grupit, konsiderohej si “syri dhe veshi” i Shullazit jashtë qelisë. Ai shihej si figura kyçe që mbante lidhjet midis anëtarëve të lirë të grupit dhe Shullazit, i cili prej vitesh ndodhet në qeli.
Deri më tani, nuk dihen ende arsyet e mungesës së Shullazit këtë të mërkurë në gjykatë, ndërsa mbetet e paqartë nëse ajo lidhet me çështje sigurie.
Kujtojmë se në dosjen “Revanshi”, e cila është produkt i një hetimi të gjerë të SPAK-ut, Shullazi akuzohet për përfshirje në plane për vrasje dhe veprimtari kriminale të organizuar.
Sipas informacioneve të bëra me dije më herët dhe njoftimit zyrtar të Prokurorisë, Emiljano Shullazi ka komunikuar me Tesilvan Basho, të cilit i ka kërkuar eliminimin e Durim Bamit. Në të njëjtën dosje përmendet edhe Arben Ndoka, të cilit Shullazi i ka vënë në dispozicion informacionet mbi lëvizjet e Bamit.
“Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin Tesilvan Basho, të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Po kështu, Shullazi siguron informacione për lëvizjet e Durim Bamit dhe këto informacione ia vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka”, thuhej në komunikatën zyrtare të Prokurorisë së Posaçme.
Gjithashtu, në bisedat e përgjuara, Shullazi rezulton të ketë komunikuar me Marklen Hakën dhe Lir Pajën, për të njëjtin qëllim. Ai shprehej se “UFO nuk ka takat, se e ka mendjen tek malli”, duke kërkuar të mësonte lëvizjet e Durim dhe Valter Bamit: “Po ca nuk del fare në lagje ai plehra. Me ca makine del kuvra?”, thuhej në një nga komunikimet e cituara në dosje.
Në një tjetër bisedë, më datë 06 mars 2020, Shullazi i shkruante Hakës: “Ca duket do e kapin ato cunat atë qelbësirën? Hë pra thuaj shpejt. Lir Pajës i tham ne për Durin atëherë që folëm bashkë, por ai s’ka takat, e ka mendjen ke malli.”
Ndërsa më 24 mars 2020, ai kërkon informacion për lokalizimin e Durim Bamit dhe të vëllait të tij Valterit.




