Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur mbrëmjen e sotme në Lundër, ku 4 persona mbetën të plagosur pasi automjeti me të cilin ata po udhëtonin u qëllua me breshëri plumbash nga persona të paidentifikuar.
Raportohet se dy të miturit, D.Demiraj dhe M.Demiraj, përkatësisht 11 dhe 17-vjeç, janë djemtë e Vesel Demiraj, president i kompanisë së sigurisë private, Pelikani Security Group.
Të miturit ndodhen në Spitalin e Traumës, ku po marrin mjekimin e nevojshëm.
Sipas informacioneve të deritanishme, 11-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë.
Mjeti në të cilin 4 të plagosurit po udhëtonin ishte me logon e kompanisë private.
Një mjet i djegur u gjet në afërsi të vendit ku ndodhi atentati, i cili dyshohet të ketë qenë i autorëve.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç.
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.