Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 16:30, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e krimit.
Publikohet fotoja e çiftit shqiptar që u gjet i pajetë në një banesë në Francë.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Brest në Francë, pasi ditën e djeshme Andon Janaqi, 36-vjeçari shqiptar dyshohet se vrau partneren e tij, Anjeza Zeneli. Pas aktit, Janaqi vrau veten me armë zjarri.
Një banor i zonës njoftoi policinë pasi kishte dëgjuar dy të shtëna arme në adresën 101 Rue Général-Paulet.
Pasi mbërritën në vendngjarje, forcat e policisë gjetën trupat e çiftit shqiptar Andon Janaqi, 36 vjeç dhe Anjeza Zeneli, 30 vjeç, si edhe një pushkë gjahu pranë tyre.
Sipas raportimeve, hetuesit po e shqyrtojnë ngjarjen si një vrasje të gruas, e ndjekur nga vetëvrasja e të dyshuarit.
Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Njëri prej tyre nuk ishte kthyer ende në shtëpi pas të shtënave, ndërsa fëmija më i vogël ndodhej në shkollë në momentin kur ndodhi tragjedia.
Ndërkohë, nëna e Andon Janaqit ka folur për mediat duke rrëfyer momentet pas ngjarjes tragjike. Ajo tregon se çifti kishin zënka të shpeshta, por njëkohësisht tregon se ai e donte deri në marrëzi.
“Sapo më mori nusja e djalit dhe më tha se Andoni ka vrarë gruan dhe më pas veten. Flisja vazhdimisht me djalin dhe i thosha t’i rregullonin gjërat. Ata ziheshin shpesh. Ai kishte shumë dashuri për të, deri në marrëzi. Kishte rreth katër vjet në Francë. Nuk e di pse janë zënë, sepse ekonomikisht nuk kishin probleme”, u shpreh Floresha.
Nëna e Andonit kërkon ndihmë nga autoritetet shqiptare për të sjellë trupin e të birit në atdhe.
“Kam edhe vajzën të sëmurë. I lutem shtetit të më ndihmojë për kthimin e trupit të djalit. Edhe familjes së vajzës i kërkoj falje. Më thanë të mos i marr, se nuk kam fytyrë t’u flas”, tha e ëma e të ndjerit.




