Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim të dyshuar si autorë të shpërthimit të ndodhur ditën e djeshme në restorantin ‘Perla e Detit’ në zonën e Kamzës.
Jeton Lami 31 vjeç, Florin Domi 30 vjeç dhe Flogert Mezhika 34 vjeç, janë personat e arrestuar ndërsa në kërkim është shpallur E. L., 31 vjeç, të gjithë banues në Kamëz.
Shkak për hedhjen e eksplozivit në pjesën e jashtme të biznesit, mësohet të jetë bërë shuma e 500 000 eurove, gjobë kjo që autorët i kishin vendosur pronarit ndërsa ky i fundit kishte refuzuar që t’ia jepte. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Një nga të arrestuarit, pas vendosjes së tritolit dje në Kamëz, është Jeton Lami. Ai nuk është i panjohur për drejtësinë, pasi është arrestuar edhe më parë.
Ai ka qënë afhent i Operacionales në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, dhe në 2022, është arrestuar pasi akuzohet se ndihmoi të shumëkërkuarin Ervis Martinajn të fshihej dhe të lëvizte me makinë.
Lami e ka transportuar Martinajn disa herë nga Lezha në Laç apo në Shkodër gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim, për t’i shpëtuar Policisë, sepse është shpallur në kërkim nga SPAK, e po ashtu për t’i shpëtuar dhe kundërshtarëve. Ai është shpallur fajor pasi u akuzua se kishte shpërdoruar detyrën, sepse në vend që t’i hidhte prangat Ervis Martinaj, ishte bërë “shofer” dhe “truproja” e tij.
Në qershor të vitit të kaluar, vetë Jeton Lami ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkon pafajësi për këtë vepër penale. Ai pretendon se nuk ishte në dijeni që Ervis Martinaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi faktin e dinin vetëm eprorët por jo ai dhe agjentët e tjerë të Forcës Operacionale. Po ashtu Jeton Lami rezulton se është personi i fundit që ka parë Ervis Martinaj, pasi e ka marrë me makinën Audi A8 dhe e ka dërguar në një hotel në Durrës, bashkë me të dashurën e tij. Pamjet e kamerave të sigurisë të datës 7 Gusht 2022 dhe të dytëve më pas, 9 Gusht janë të vetmet ku shfaqet personazhi i cilësuar si “mbreti i kumarit”.
Kujtojmë se prej datës 10 Gusht 2022, Ervis Martinaj rezulton i zhdukur pa gjurmë dhe për këtë fakt, familja ka bërë në të njëjtën datë kallëzim në Policinë e Lezhës. Ishin vetë ata që gjetën pamjet e kamerave të sigurisë ditë më pas, duke i dorëzuar pranë autoriteteve dhe aty u identifikua dhe Jeton Lami.




