Një grua 48-vjeçare ka humbur jetën në banesën e saj në qytetin e Korçës. Gentiana Nano ishte paraqitur dy ditë më parë në urgjencën e spitalit, pasi kishte pasur vështirësi në frymëmarrje. Pas ekzaminimeve fillestare, ajo u trajtua në urgjencë dhe më pas u dërgua në shtëpi.
Të nesërmen, gjendja e saj u përkeqësua sërish. Familjarët thirrën ambulancën dhe mjeku i shërbimit i bëri injeksione, pasi ajo kishte tension të ulët dhe rrahje të larta të zemrës. Megjithatë, mëngjesin e sotëm, 48-vjeçarja u gjet pa shenja jete në dhomën e saj nga i biri dhe babai.
Djali i saj, Erdiol Nano, shprehu pakënaqësi për mënyrën si u trajtua nëna e tij në spital, duke thënë se ajo vazhdimisht ndiente lodhje, rrahje të forta zemre dhe shqetësime që, sipas tij nuk u morën seriozisht. Ai tregon se, pavarësisht ankesave të nënës, mjekët e konsideruan gjendjen si anemi dhe e lanë të largohej, ndërsa edhe pas vizitës së dytë me ambulancë, ajo vazhdoi të mos ndihej mirë.
Më tej, i riu akuzon mjekët e Spitalit të Korçës për neglizhencë, teksa kërkon përgjigje dhe një reagim nga drejtësia në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. Nuk ishte mirë dhe tha do të shkojmë në spital. E çuam, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihet mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë?
Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. Sot në mëngjes u ngrit, mori për të ngrenë dhe ishte në dhomën e saj. Gjyshi më tha hajde foli mamit se s’po na përgjigjet. U ngrita dhe shkova atje, e pashë të shtrirë, e kuptova që kishte ndërruar jetë.
Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër”, tha ai për mediat.




