Programi “Shqipëria Live” në Top Channel ka tërhequr vëmendjen e plotë të publikut ditën e sotme, duke njoftuar zbulimin e pamjeve të para nga shtëpia e re e “Big Brother VIP Albania 5”
Kureshtja për edicionin e pestë, që pritet të nisë në dhjetor nën moderimin e Ledion Liços, është e lartë. Për këtë arsye, moderatorja e “Shqipëria Live”, Sidorela Gjoni, njoftoi që në nisje të emisionit se pamjet “ekskluzive” të shtëpisë do të transmetoheshin gjatë programit.
Publiku u mbajt në ankth për më shumë se një orë e gjysmë, pasi produksioni e la zbulimin e madh për në minutat e fundit të emisionit, një strategji e qartë për të mbajtur audiencën të mbërthyer pas ekranit.
Por, pas gjithë kësaj pritjeje, ajo që u shfaq në ekran nuk ishte shtëpia. I gjithë “ekskluziviteti” i zbuluar ishin pamjet e gazetares Semiljana Azizi, e cila ndodhej brenda ambienteve të Big Brother, duke folur për shtëpinë, por pa treguar asgjë konkrete nga ajo.
Siç duket, pamjet e vërteta të shtëpisë mbeten ende një sekret i madh, ndërsa publikut iu desh të kënaqej vetëm me kaq.




