Historia e një 13-vjeçareje nga komuniteti rom në Fier ka tërhequr vëmendjen e medias dhe autoriteteve sociale, pasi është bërë nënë në moshë të mitur. Babai, një 17-vjeçar, po procedohet nga policia për kryerje të marrëdhënieve me një të mitur.
Lajmi u bë i ditur pas thirrjes së mjekëve të maternitetit, të cilët raportuan rastin në polici. Ato jetojnë në një zonë rurale të Fierit, ku tradita e martesave të hershme brenda komunitetit rom është “një traditë më se normale” në jetën e tyre.
Në intervista për “Në kohë reale” në RTSH, 17-vjeçari, babai i fëmijës, tha se njohu vajzën nëpërmjet telefonit dhe se martesa e tyre në moshë të vogël është një praktikë e zakonshme në komunitetin e tyre.
“Kisha një vit me vajzën, kam mbaruar vetëm 6 klasë shkollë, kurse nusja klasën e 2 dhe të 3 ka bërë. Jemi njohur në telefon. Kështu martohemi në këtu të vegjël. Do iki jashtë shtetit bashkë me nusen dhe djalin. Ne të vegjël martohemi”, tha 17-vjeçari.
Edhe halla e vajzës shpjegoi se martesat e hershme janë një traditë e komunitetit.
“Ne kemi traditë që martohemi të vogla. Unë jam martuar 13-vjeçe dhe 14-vjeçe kam bërë fëmijë. Kam 7 fëmijë dhe vajzat e mia 13 vjeçe janë martuar.
Kështu e kemi traditë ne. Neve kështu jemi keq apo mirë, e kemi traditë që martohemi të vogla brez pas brezi. Ne të gjithë asnjëri nuk ka bërë shkollë. Do bredhim për bidona do hamë, para nuk duam, vetëm fëmijët dhe familjen. Kjo është tradita jonë”, tha halla e të miturës.
Rasti është diskutuar edhe nga profesionistë të fushës sociale dhe ligjore. Psikologia Aba Zeneli tha se nuk ka ndërgjegjësim të këtyre rasteve dhe se këto sjellin psikologjike dhe sociale për vetë komunitetin. Edhe avokati Altin Kaziaj tha se këto raste janë të dënueshme penalisht, por se martesat e të miturve në komunitetin rom janë të përsëritura.
“Ky është realitet pasi në këtë komunitete është një gjë normale që ka ndodhur, pasi martohen shumë shpejt. Këto janë raste pra të përsëritura dhe nuk ka asnjë lloj ndërgjegjësimi, duke sjellë pasoja psikologjike dhe sociale për fëmijët”, tha psikologia.
“Kjo është një vepër penale e rëndë dhe një problem social i madh. Përtej ritualeve tradicionale, dëmi psikologjik, fizik dhe mendor që i ndodh këtyre fëmijëve është i madh. Babai po procedohet, por fëmija mbetet i pambrojtur. Ky rast duhet të jetë një thirrje për ndërhyrje më të fuqishme sociale dhe ligjore në këto komunitete”, tha avokati.




