“21 Janari” – “Pse u fshinë serverat e Kryeministrisë?” Berisha kapet ‘mat’: S’i ka Kryeministria, ja kush e ka bërë (VIDEO)

Kreu i PD-së, Sali Berisha u zu ngushtë nga pyetjet për refuzimin e fletëthirrjeve të SPAK për krimin shtetëror të “21 Janarit”.

I pyetur se përse u fshinë serverat e kryeministrisë nga ku dolën plumbat që vranë 4 protestuesit më 21 janar 2011, Berisha ia faturoi fajin Gardës, teksa tha se kryeministria nuk ka pasur asnjë server për vëzhgimin por garda.

Pyetje: Pse u fshinë serverat?

Berisha: Kush? Asnjë dijeni për këtë. Kryeministria nuk ka patur, si kryeministri asnjë lloj server për vëzhgimin dhe nëse Garda ka patur serverin aty është punë tjetër. Garda kudo ka një zyrë të veten, çfarë mbajnë aty është punë e tyre dhe jo e të tjerëve.

Çfarë ka ndodhur është hetuar, është hetim i plotë dhe i bërë vite dhe ka dënime përkatëse. Kështu që unë nuk jam thirrur asnjëherë. Edhe unë do të jap çfarë di unë.
/Tema

Sali Berisha, ka mbajtur ditën e sotme një konferencë nga selia blu, të cilën e zhvilloi në ditë para se të shkojë në SPAK për të dëshmuar mbi ngjarjen e 21 janarit 2011. Gjatë fjalës së tij Berisha e ka pranuar se 21 janari është krim shtetëror, por jep justifikimin se është bërë pa dashje nga garda, e cila sipas tij ka vepruar sipas ligjit.

“Roja vepron sipas ligjit, po të gjuajti breshëri në ajër, po vazhdoi të të gjuajë te këmbët, pastaj neutralizim. Ky është ligji i bëri nga socialistët. Nëse fillimisht u tha se janë plumba nga afër çka linte për të nënkuptuar se janë demonstrues që kanë gjuajtur njëri tjetrin, më vonë u tha jo. Ato janë plumba të armëve të shtetit, të përdorur në përputhje me rregullat dhe ligjin, janë vrasje shtetërore pa dashje, edhe këto quhen vrasje shtetërore”, u shpreh kreu i PD.

Pasi refuzoi dy herët e para fletëthirrjen e dërguar nga SPAK, Berisha ka akuzuar edhe kryeprokurorin Altin Dumani se e ka përdorur për propagandë: “Unë për çdo njoftim, kam shkuar dhe do shkoj. Shikoni se çfarë keqpërdorimi ekstrem nga Altin Troplini i institucionit që ai drejton, me datë 3 unë isha në përputhje me ligjin në zyrat e SKAP-it. Gazetarët ishin tek dera, unë hyra dhe dola dhe ata nuk thanë asnjë fjalë. Po të kishin një njoftim ata mund të ma jepnin mua direkt, mund t’ia jepnin avokatit tim. Berisha s’ka marrë thirrje, bënte që të mbulohej lajmi i 97 mln euro të Ramës dhe Ballukut. E kemi dërguar në PD. Këtu në PD pas një jave i paska ardhur një zarf PD, zarfi që i vjen PD nuk vjen për Berishën. Vetëm dje kur shkoj unë aty thanë ka edhe këtë njoftim. Shiko sa i ultë është ai. Përdori një akt ligjor për të bërë dy javë propagandë në shërbim të qeverisë”

Ish-kryeministri do të paraqitet në SPAK nesër në orën 09:00. Më herët është thirrur për të dhënë dëshminë e tij edhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Kujtojmë se SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë.

Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.