Shqipëria nën pushtetin e ujit, meteorologia Porja: Moti i keq do vijoje, lajmi i mirë vjen nesër!

Shqipëria është nën pushtetin e reshjeve intensive që nga dita e djeshme, të cilat sollën probleme dhe përmbytje në shumë zona të vendit. Në zonat rurale në veri si në Shkodër, Lezhë, Kurbin, Krujë, Shkodër, pati përmbytje të shumë banesave dhe u evakuuan disa familje.

Problematike ishin edhe zona e Durrësit, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Meteorologia Lajda Porja e ftuar në një emision televiziv tha se reshjet dhe rrebesh do të vazhdojnë të jenë prezente edhe këtë të mërkurë, 19 nëntor, ku zonat e veriut mbeten përsëri më të ekspozuara. Sipas Porjas lajmi i mirë vjen ditën e nesërme, pasi do të ketë një rënie të intensitetit të reshjeve. Megjithatë dita e premte dhe fundjava sjellin përsëri përkeqësim të motit.

“Pritet që fatkeqësisht të reshjet të vazhdojnë sërish në zonat më problematike si Lezha, Kruja, Durrësi, Shkodra… Veriu do të mbetet me reshje intensive, më pak qendra, kurse në jug nuk do të kemi shumë reshje intensive përjashtuar Gjirokastrën, ku do të ketë një celulë në pjesën e dytë të ditës, ku do të ketë rrebeshe. Dita e sotme, 19 nëntor, kështu do të jetë me rrebeshe, më të shpeshta dhe më të dendura në veri të vendit, më të rralla në qendër dhe në jug të vendit. Megjithatë herë pas here do të kemi erë të fuqishme.

Ka një lajm të mirë, dita e nesërme, pasi do të kemi një rënie të intensitetit të reshje, kjo për të krijuar dhe një hapësirë dhe mundësi për të tërhequr ujin në të gjitha zonat ku është raportuar për probleme. Reshjet kanë qenë shumë të dendura në veri, në zonat e thella ka rënë mbi 200 milimetra. Është një sasi shumë e konsiderueshme, e cila është në fakt një sasi mujore. Parashikohet që e enjtja dhe pjesërisht dita e premte të vazhdojë intensitetin.

Pasditen e së premtes dhe të shtunën do të kemi sërish vrenjtësira dhe reshje me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv. Me reshjet që do të kemi të premten dhe të shtunën do të ketë edhe më shumë sasi të reshjeve. Është dhënë që mesin e javës së kaluar që ky fenomen do të ndodhte. Epiqendra ishte në Malin e Zi dhe u spostua në veri të vendit”, tha Porja.