Një debat i fortë mes deputetit Agron Shehaj dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pak momente më parë, ka detyruar kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi që të përjashtojë kreun e Partisë Mundësia dhe të ndërpresë seancën për 5 minuta në mënyrë që ai të largohej.
“Unë me shumë prej jush jam përballur politikisht dhe jam përballur në fushëbetejë, aty ku duhet të dalin dhe të përballen burrat. Dhe shumë prej jush i kam ulur në gjunjë, si ai që ulëret”, ishte kjo deklarata e Belinda Ballukut, që detyroi Shehaj të çohej nga vendi dhe ta akuzonte.
Me celularin në dorë dhe teksa përsëriste akuzat ndaj Ballukut, kreu i Partisë Mundësia u përjashtua nga seanca dhe kryetari i kërkoi të linte sallën. Për shkak se ishte pa mikrofon sepse foli nga vendi, deklaratat e tij janë dëgjuar vetëm në sallë.
Belinda Balluku: Unë me shumë prej jush jam përballur politikisht dhe jam përballur në fushëbetejë, aty ku duhet të dalin dhe të përballen burrat. Dhe shumë prej jush i kam ulur në gjunjë, si ai që ulëret.
* I referohet deputetit Agron Shehaj
Peleshi: Zoti Shehaj, keni përsëritur disa herë shkeljen, në bazë të nenit 64 fraksion 3, ju lutem largohuni dhe lini sallen. Jeni i përjashtuar nga seanca.
Balluku: Agron, nuk bëhet politika me selfie, duhet të dalësh në shesh të burrave. Do ngelesh pronari i call centerave, nuk do bëhesh dot politikan, do jesh një pronar i vogël i call centerave që nuk paguan sigurime shoqërore dhe i paguan ata djemë e vajza me rrogë më pak se minimalja.
Nuk bëhesh politikan me facebook Agron, duhet të dalësh të takosh njerëzit, nuk jemi në call center këtu.
Peleshi: Zoti Shehaj, ju lutem dilni nga salla. Keni marrë masë përjashtimore.
Balla: Zoti kryetar, keni dhënë një masë për deputetin të largohet nga salla, kërkoj të bëhen 5 minuta pushim që deputeti të lërë sallën.
* Niko Peleshi ndërpret seancën për 5 minuta




