Në vend të pyetjes ‘Kur do bësh fëmijë?’… Pyetja therëse, që rendon gjithe femrat shqiptare, ja si duhet te veprojme

Ka një pyetje që e dëgjoj në çdo intervistë të Bora Zemanit prej vitesh:

“Ke plane për fëmijë me Donald Veshajn?” “Kur do bësh një fëmijë të dytë?”

Edhe përgjigjja, pothuajse gjithmonë e njëjtë:

“Një fëmijë është gjithmonë i mirëpritur, kurdo të vijë.”

Që kur pashë që Bora do ishte e fuar në “Goca dhe Gra” e prisja të përsëritej e njëjta skenë. Bora pyetet përsëri për plane për fëmijë me Donaldin dhe nëse djali i saj, Arbori, do një motër apo vëlla. Ajo përgjigjet sërish në të njëjtën mënyrë.

Por, pse duhet bërë kjo pyetje përherë? Dhe, pse na duket normale që t’ua bëjmë vajzave e grave publike, sa herë që ulen në një karrige interviste?

Në fakt kjo është pasqyra e një shoqërie që i ka parë gjithmonë gratë si të paplota pa martesë dhe fëmijë dhe që e ka trajtuar gjithmonë ‘mitrën’ si pronë publike për komente e presion shoqëror të paketuar si “kuriozitet i ëmbël”.

Nuk është vetëm Bora. E njëjta pyetje u bëhet pothuajse të gjitha vajzave dhe grave.

Pse kjo pyetje është problematike (edhe kur duket e pafajshme):

-Nuk e dimë nëse ajo grua është përpjekur prej vitesh të mbetet shtatzënë dhe nuk ka mundur.

-Nuk e dimë nëse ajo sapo ka kaluar një abort spontan.

-Nuk e dimë nëse nuk dëshiron fëmijë dhe kjo është po aq e vlefshme sa dëshira për të pasur.

-Nuk e dimë nëse është në një lidhje të pastabilizuar, në një periudhë ankthi, apo thjesht nuk e ndjen ende.

Si pjesë e medias, kam parë raste kur figura publike sapo kishin kaluar aborte spontane, ndërkohë që në intervista pyeteshin për shtatzëni, e po ato mbrëmje portalet shkruanin se “është në pritje të ëmbël”.

Çfarë do e pyesja unë Bora Zemanin po ta intervistoja?

-Cila është gjëja më e vështirë që ke mësuar si prind?

-Çfarë i thua djalit tënd çdo mëngjes? Cilat janë tri vlera do doje që ai të mbajë me vete, edhe nëse nuk të dëgjon dot më zërin tënd?

-Si është të rritësh një djalë në një shoqëri ende shumë maskiliste, ku shpesh burrat “përkëdhelen” nga nënat?

-Kur e shikon Arborin te flejë, çfarë frikërash të vijnë në mendje për botën ku po e rrit?

-Cilën dhimbje tënden do doje që djali yt të mos e përjetojë kurrë?

-Si ia shpjegon Arborit konceptin e ndarjes dhe të dashurisë, në një moshë kaq të brishtë?

-A ndihesh ndonjëherë fajtore si nënë?

-Cila është frika jote më e madhe si prind? Etj.

Duke pasur një figurë publike me një influencë të madhe, do trajtoja tema që prekin të gjitha gratë në shoqërinë tonë, si: mungesën e çerdheve, mungesën e mbështetjes për nënat që punojnë, stigmën ndaj grave që zgjedhin të mos kenë fëmijë, rolin e baballarëve (aq më tepër në një marrëdhënie bashkëprindërimi).

Ndaj, pyetja e vërtetë nuk është “kur do bëjë Bora një fëmijë të dytë?”, por kur do të rritemi ne si publik dhe si media. Kur do të na interesojë më shumë si rriten fëmijët, sesa kur konceptohen. Si trajtohen nënat në punë, sesa nëse kanë apo jo barkun e rrumbullakosur. Si ndihet një grua brenda vetes, sesa çfarë planesh riprodhimi ka për të ardhmen.

Po, teknikisht mund të pyesim gjithçka. Por kjo nuk do të thotë që gjithçka është e drejtë ta pyesim. Ka tema që kërkojnë delikatesë, maturi, dhe mbi të gjitha: leje.

Sepse në fund të ditës, mitra e një gruaje nuk është skenari ynë, nuk është temë talk-show, nuk është cliffhanger i sezonit të radhës./ shkrim nga classlifestyle.com/