Topalli gozhdon Shalsin: Ty të mbaj mend vetëm për fjalinë “të paktën vjedhim me lezet”, inteligjenca jote eshte si

Një debat i nxehtë verbal është shënuar sot në Kuvend mes deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, dhe deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi. Shkak u bënë deklaratat e ndërsjella të dy palëve, të cilat ngritën tonet në sallën parlamentare.

Gjatë fjalës së tij, Shalsi kujtoi periudhën kur Topalli drejtonte Kuvendin, duke e akuzuar për sjellje autoritare dhe nxitje të ndasive krahinore.

E mbaj mend fort mirë kur zonja në fjalë drejtonte Kuvendin… ministrat dhe drejtorët silleshin si të fortë. Kur ka qenë hera e fundit që ke qenë në Shkodër? Mos i fryni historisë veri-jug, sepse shqiptarët janë të zgjuar dhe dinë të bëjnë dallimin mes asaj që bënit ju dhe asaj që bëjmë tani,” tha Shalsi, duke shtuar se “buzëqeshja ju ndihmon të menaxhoni mungesën e argumenteve”.

Reagimi i Topallit erdhi menjëherë dhe me tone të forta. Ajo e goditi Shalsin te deklaratat e tij e famshme: “Deputetin që sapo foli e njoh prej vitesh dhe e kujtoj vetëm për një fjali: ‘të paktën të vjedhim me lezet’. Atëherë nuk ia kam marrë për të madhe, se thashë s’ka eksperiencë politike. Paskam gabu, ai nuk ka as inteligjencën minimale,” u shpreh Topalli.

Ajo shtoi edhe një koment ironik që ndezi më tej debatet: “Një sugjerim… e mira është që ata që janë pijshëm, mos i lini të shkojnë te ajo foltorja aty.”