Protesta e përgjakshme e 21 janarit 2021, është rikthyer dhe njëherë në qendër të vëmendjes, që pas paraqitjes së kryeministrit të kohës, Sali Berisha në SPAK për tu pyetur si person në dijeni. Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, janë 4 protestuesit që mbetën të vrarë pas të shtënave me armë në portën kryesore të ndërtesës së kryeministrisë.
Gazetari Artan Hoxha për Top Channel, zbuloi të tjera detaje dhe nga audio-përgjimi i komunikimeve të Gardës së Republikës, teksa tha se vrasjet janë ekzekutuar brenda 8 sekondave, nën një urdhër të drejtpërdrejtë. Hoxha thotë se urdhëri i shefit të Gardës, Ndrea Prendi ka qenë i qartë “Gjakos, gjakos” pasuar më pas nga një urdhër i dytë “Ndaloni zjarrin”. Gazetari shton se kjo audio ka dalë nga përgjimet që i janë bërë shefit të Gardës dhe jo njësisë qendrore.
“Për 8 sekonda janë kryer katër vrasjet. Po të kishte zgjatur më shumë, do të ishte bërë kasaphanë. Nuk është dëgjuar njësia qendrore e Gardës. Është përgjuar komandanti. Janë komunikimet e tij me vartësit. Ata që e kanë pasur këtë material, e dinë për kë bëhet fjalë”, tha Hoxha.
Pas tre orëve marrje në pyetje nga SPAK ditën e sotme (19 nëntor), Berisha mori në mbrojtje Gardën e Republikës ndërsa tha se gardistët kanë vepruar vetëm në pjesën e jashtme të godinës.
Gazetarja: Nga brenda godinës u vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Kush e dha urdhrin?
Berisha: Absolutisht gënjeshtër me bisht kjo që thua. Jo nga brenda, meqenëse u referohesh medieve, merr filmimet. Ushtarët e Gardës kanë qëlluar, jo nga brenda.
Gazetarja: Nga godina e kryeministrisë.
Berisha: The nga brenda, korrigjo këtë. The një gënjeshtër, sepse nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë. Është qëlluar nga vendrojet e rojet e gardës.
Duke ironizuar këtë deklaratë, Hoxha thotë se i vetmi i qëlluar brenda në kryeministri ka qenë shefi i Gardës, i cili është goditur me grusht.
“Brenda nuk është qëlluar me armë. Brenda është qëlluar vetëm syri i nxirë i shefit të Gardës, Ndrea Prendi. E vetmja e shtënë brenda ka qenë grushti.”
Një tjetër person i thirrur nga SPAK për të dhënë deklarime lidhur me këtë çështje, është dhe Lulzim Basha, në atë kohë Ministër i Brenshëm. “Lulzim Basha del tek kodet e radiove. Ka qenë Ministër i Brendshëm. Po i jepet mundësia të tregojë pozicionin e vet.”
Hoxha nënvizon se Basha është akuzuar politikisht për ngjarjen, por sistemet dhe kodet tregojnë se ai ka qenë pjesë e komunikimeve operacionale të atyre momenteve kritike.
Drejtësia e vjetër shqiptare mbylli hetimet lidhur me vrasjen e 4 qytetarëve më 21 janar me gjykimin si ‘vrasje nga pakujdesia’. Për këtë çështje Prokuroria e Tiranës dënoi me ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.




