Bardhi: F*ndi po vjen! Edi Rama është duke përgatitur gr*sht shteti, ja cfare e pret vendin

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit të SPAK, pezullimit të ushtrimit të detyrës së Belinda Ballukut dhe takimit të saj me Edi Ramën.

Në një postim në rrjetet sociale Bardhi hedh poshtë pretendimet e përhapura në media, se Qeveria shqiptare është në dorë të Gjykatës së Posaçme, apo asaj që disa e kanë quajtur si “Republikë e Prokurorëve”.

Sipas Bardhit, kjo është tentativë e Ramës për grusht shteti. Ai thotë se qeveria e Ramës komandohet nga krimi i organizuar dhe jo nga Gjykata e SPAK, të cilët nuk e kanë pezulluar Ballukun si deputete, sepse kjo është e paligjshme.

Reagimi i Bardhit:

Edi Rama është duke përgatitur grusht shteti!

Për pushtetin e tij, ka kohë që ka shkallmuar çdo rregull dhe standard të funksionimit demokratik të shtetit, duke nisur nga themeli kushtetues i Republikës “qeverisja bazohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme”!

Teoria se Gjykata dhe SPAK po përcaktojnë qeverisjen, bëhet ekzaktësisht nga ata që nuk janë shqetësuar asnjë ditë për faktin që qeverisjen e përcakton krimi i organizuar! Pra, Kushtetuta dhe ligji që i njeh këtë autoritet Gjykatës dhe SPAK, janë gabim, ndërsa sistemi i Edi Ramës që qeverisjen e dikton krimi i organizuar dhe korrupsioni, është i drejtë. Çfarë turpi dhe mjerimi!

Belinda Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete. Këtë e ndalon ligji! Gjykata dhe SPAK e kanë respektuar këtë ndalim. Ndërkohë “pezullimi për të ushtruar funksionet publike” në pushtetin ekzekutiv është qëllimi për të cilën ekziston kjo masë ndaluese në ligj, në kushtet kur vendimmarrja për shkarkim i është besuar një njeriu të papërgjegjshëm (siç është Edi Rama) apo një bashkëfajtori në korrupsion me të pandehurin (siç është po Edi Rama)!

Mjerimi në logjikë nuk e shpëton dot as të pandehurën e sotme Belinda Balluku dhe as të pandehurin e afërt në kohë Edi Rama! Fundi i tyre i shpejtë është shkruar nga sistemi korruptiv i qeverisjes që kanë ndërtuar vetë.