Ndjesë paraprakisht. Titulli është mashtrim si magnet për t’ju tërhequr në rreshtat në vijim, por me dëshirë të mirë. Jo për klikime, por si një ftesë për reflektim kombëtar para ngjarjeve të mëdha që na presin.
Prej më shumë se tri dekadash, Shqipëria jeton me idenë se demokracia është një dhuratë e ardhur nga jashtë, një injeksion i Perëndimit që herë pas here duhet ripërtërirë për të mbajtur trupin e shoqërisë gjallë. Këtë po e shohim qartë edhe sot, në një kohë kur SPAK po godet një nga një figurat më të larta të qeverisjes, duke shkaktuar tronditje të mëdha institucionale. Në çdo vend tjetër demokratik, këto do të kishin sjellë protesta masive, reagime publike dhe një valë reflektimi popullor. Por jo në Shqipëri. Këtu poshtë, asgjë nuk lëviz.
Fakti që arrestohen ministra, kryebashkiakë, figura me pushtet dhe populli vazhdon qetësisht rutinën, duket si një paradoks kombëtar. Çuditërisht, ndërkohë që goditjet e drejtësisë shtohen, rritet edhe mbështetja për Edi Ramën. Mandatet i shtohen, pushteti i zgjatet, ndërsa shoqëria duket sikur ka hyrë në një gjumë të thellë politik. Në vend që të ketë alarm, ka apati. Në vend që të ketë revoltë, ka pritje. Sikur populli shqiptar e ka deleguar moralin, drejtësinë dhe të ardhmen tërësisht te të tjerët, duke hequr dorë nga përgjegjësia e vet.
Kjo situatë ngjan shumë me një vaksinë demokratike që vjen nga Perëndimi për të pastruar trupin e sëmurë të shtetit shqiptar. Idealistët shpresojnë se secila goditje e SPAK-ut do të krijojë precedentë të shëndetshëm (antitrupa për të ardhmen) që një ditë do të mësojnë shqiptarët të mos pranojnë më korrupsionin, abuzimin dhe arrogancën e pushtetit. Po çfarë vlere ka një vaksinë, nëse organizmi vetë nuk prodhon asnjë reagim, nëse trupi nuk lufton, nëse populli pret që dikush tjetër të bëjë punën që i takon vetë?
Kjo nuk është hera e parë që historia jonë ndërtohet mbi pasivitet dhe dorëzim. Në 1991, shqiptarët nuk e përmbysën diktaturën me luftë, me rezistencë të armatosur apo me kryengritje popullore, siç patën bërë popujt e tjerë. Regjimi ra thjesht sepse i erdhi koha, sepse Perëndimi shtyu fort drejt ndryshimit, sepse Shqipëria nuk mund të mbetej më i vetmi bunker komunist në Europë. Amerikanët modeluan demokracinë tonë të parë. Ne e pranuam, por nuk e kërkuam. E morëm, por nuk e ndërtuam vetë. Sigurisht, as që e përmirësuam.
Prandaj sot, 34 vite më vonë, po jetojmë të njëjtin skenar me aktorë të rinj. E presim Perëndimin të na pastrojë, të na udhëheqë, të na edukojë. E presim SPAK-un të na bëjë moralin që ne vetë nuk guxojmë ta bëjmë. Populli nuk reagon. Populli nuk proteston. Populli pret. Dhe kjo pritje është shenja më e dhimbshme e demokracisë sonë të lodhur: një demokraci që mbahet gjallë jo nga qytetari aktiv, por nga injeksionet e radhës.
Nëse ky vend do të ndryshojë vërtet, duhet të vijë dita kur nuk presim më t’i zgjidhë dikush tjetër problemet tona. Duhet të vijë dita kur qytetarët të kuptojnë se demokracia nuk është shërbim i importuar, që vjen me avion nga Uashingtoni apo Brukseli. Demokracia është muskul. O e ushtron vetë populli, o mbetet e dobët, e brishtë, e kontrollueshme. Sot, për fat të keq, jemi ende në fazën e injeksioneve. Asnjë shoqëri nuk mund të jetë plotësisht e shëndetshme, nëse nuk mëson të luftojë vetë.
Edhe nëse SPAK arrin sukses të plotë dhe pastron klasën aktuale politike, nuk duhet të ëndërrojmë më kot se Shqipëria do të ndryshojë. Vullneti për një atdhe që ndërtohet me punë të ndershme nuk po vjen nga poshtë. Nuk po vjen as nga lart (elita apo politikanët). Po vjen nga jashtë. Vaksina SPAK mund të funksionojë ndoshta për disa vite duke injektuar frikën që ruan vreshti, por mos prisni të zgjasë shumë. Brenda organizmit Shqipëri, do të jetë një betejë e përgjakshme e instikteve tona shqiptare kundër antitrupave vullnetmira me flamuj amerikanë dhe europianë. Në fund të fundit, asnjë vaksinë nuk ka efekt të përjetshëm




