Al*rmante në JUG nga moti i keq/ Përmb*tje banesash, rrugë të bllokuara dhe probleme me energjinë në tunelin e Llogarasë

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë zonën e jugut, duke krijuar probleme serioze në disa bashki të qarkut të Vlorës. Përmbytje banesash, rrugë të bllokuara dhe rrezik në argjinatura janë raportuar gjatë orëve të fundit, ndërsa pritet që edhe tuneli i Llogarasë të mbyllet përkohësisht për shkak të një defekti elektrik.

Situata në qarkun e Vlorës
Sipas njoftimeve zyrtare, problematikat kryesore janë këto:

Sarandë / Konispol

Në zonën Shkallë Qafë Botë dhe nga karburanti në qendër të Konispolit, rruga është plotësisht e bllokuar për shkak të inerteve që bien nga mali. Policia e Postës së Konispolit ndodhet në vendngjarje për menaxhimin e situatës.

Ksamil

Është përmbytur kati përdhe i banesës së shtetasit Qani Sinani. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur largimin e ujit.

Bashkia Finiq / Vrion

Është përmbytur banesa e shtetasit Dilaver Hyraj. Zjarrfikësit raportojnë se largimi i ujit është i pamundur pasi niveli i ujit është i njëjtë me banesën, banorët janë evakuuar.

Sarandë / Metoq

Është përmbytur banesa e shtetasit Vaso Çipa, zjarrfikësit kanë bërë largimin e ujit.

Aksi Sarandë–Shijan

Rruga është bllokuar në fshatin Shelegar, pasi lumi Kalase ka dalë nga shtrati. Mjetet devijohen në aksin Vrio–Finiq–Shijan.

Fshati Çukë

Është dëmtuar argjinatura e lumit Bistricë, me ujin që është afruar pranë banesave. Nuk raportohen persona të lënduar.

Tuneli i Llogarasë pritet të mbyllet përkohësisht
Probleme të shumta janë shfaqur edhe në furnizimin me energji elektrike të tunelit të Llogarasë. Sipas inxhinierit të OST Fier, linja që furnizon tunelin nga nënstacioni i Tragjasit është me defekt. Tuneli aktualisht nuk furnizohet me energji dhe pritet mbyllja e tij derisa grupet e avarive të rikthejnë funksionalitetin.