Belinda Balluku mund të përsërisë veprën penale për të cilën tashmë është e pandehur dhe të prishë edhe provat dhe si rrjedhojë, nuk mund të qëndrojë në detyrë. Më këtë argument, gjyqtari i posaçëm, Erjon Çela, argumenton caktimin e masës pezullim nga detyra për zv. Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, vendim të cilin Report Tv e ka siguruar.
“Në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Gjykata argumenton edhe për ndalimin e daljes jashtë shtetit, ku sipas saj ka rrezik për largim, dhe këtë e mbështet në marzhin që parashikon vepra si dënim, nga 1 deri në 5 vjet burg.
“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy herë dhe në bashkëpunim”
Për shkak të postit që Balluku dhe 2 vartësit e saj kanë, GJKKO thotë se rreziku për prishjen e provave është i madh, deri në vështirësi të mbledhjes së tyre nga SPAK.
“Ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet”, citohet në vendimin e GJKKO.
Nga e enjtja, Belinda Balluku nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë si zv. Kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nesër në orë 09.00, zhvillohet seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj saj dhe dy vartësve.
Me këtë vendim të GJKKO, Balluku është pezulluar nga detyra, pasi është marrë e pandehur për ndërtimin me vlerë 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe dyshohet edhe për tenderin 21 milionë euro të ndërtimit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Kërkesa u bë nga prokurori Dritan Prençi, dhe pas pranimit nga gjykata, Ballukut i është marrë pasaporta, duke e ndaluar të lëvizë jashtë vendit.
Përveç nr.2 të qeverisë GJKKO caktoi “arrest në shtëpi” për bashkëpunëtorët, kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezit, drejtor i KESH. Për të dy tenderat, me vlerë totale 210 milionë euro, SPAK thotë se Balluku paracaktoi fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.

