Në fshatin Rëmenj të bashkisë së Pogradecit, dy banesa janë pjesërisht të shembura pas vërshimit të ujërave, duke i bërë të pabanueshme.
Familjarët kërkojnë urgjentisht strehim, pasi nuk kanë ku ta kalojnë natën. Ndërkohë, në zonë pritet të mbërrijë kryebashkiaku i Pogradecit për të parë nga afër situatën. Prekës ishte apeli i një burri që vuan nga kanceri, i cili tha se nuk kishte ku të qëndronte pas shembjeve në banesën e tij.
“Bëj kimio, s’kam ku të vete. Ku ti çojë fëmijët unë. I kam lënë te komshinjtë. Jam vet i gjashtë“, tha banori.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka shkuar të inspektojë urën e dëmtuar ne fshatin Xhyre te Librazhdit.
Koçiu u njoh me situatën duke kërkuar zgjidhje sa me te shpejtë për lëvizjen e 1700 banoreve te fshatit Xhyre.
Reshjet e dendura të natës së kaluar kanë shkaktuar probleme serioze në infrastrukturën rrugore të Gramshit.
Ura e Shëmrizës është dëmtuar në njërin krah, duke e bërë kalimin të vështirë për mjetet.
Probleme janë shënuar edhe në aksin Kodovjat–Mashan, ku një masiv dheu është shembur duke bllokuar rrugën kryesore. Firma e mirëmbajtjes është lajmëruar dhe ekipet janë nisur drejt zonës për të bërë të mundur pastrimin dhe hapjen e rrugës.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara.
Top Channel




