Në një postim në Facebook, Berisha pretendon se kryeministri Edi Rama fillimisht ka refuzuar të padisë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e GJKKO-së në mbrojtje të Ballukut, por sipas tij, qëndrimi i Ramës ndryshoi pas një telefonate që Balluku i ka bërë në mesnatë.
Sipas Berishës, “nga kacafytja 7-orëshe në zyrën e Ramës”, zv.kryeministrja ka arritur ta bindë kryeministrin duke i kujtuar se mesazhe të ndjeshme për “tunelin e Palloshit të gjatë”, por edhe komunikime të supozuara me Ervis Berberin, mund të bëheshin publike nëse ai nuk ndërhynte brenda ditës me një padi në Kushtetuese.
Berisha thotë se Balluku e ka vënë Ramën nën presion, duke e paralajmëruar se “pas saj, ai e kishte radhën”.
Postimi i plotë
Lubia ‘palos’ Palloshin e gjatë!
Nga kacafytja 7-orëshe mbrëmë në zyrën e Edi Ramës, del se Lubia e ‘palosi’ Palloshin e gjatë. Kapitullimin e Ramës, i cili për 7 orë nuk kishte pranuar të bëhej paditës i vendimit të ligjshëm të GJKKO, Lubia e arriti pas një telelefonate që pati në mesnatë me Ramën. Ajo e njoftoi Ramën se SMS-t për tunelin e Palloshit të gjatë, dhe jo vetëm për atë që ai ka shkëmbyer me Lubinë, por dhe me vetë Ervis Berberin, i cili paska patur maninë që çdo mesazh t’ia ridërgojë jo vetëm zonjës së tij, por edhe në disa drejtime të tjera, do të bëhen publike në rast se ai nuk dërgon si kryeministër padinë brenda ditës së nesërme në Gjykatën Kushtetuese. Lubia, në tërbim të pakufishëm, e siguroi Ramën se pas saj, ai e kishte radhën. Kështu që Rama, të cilit i dridhen leqet e këmbës nga kërcënimi i çmendur i Lubisë, urdhëroi në mëngjes herët, tashmë i ‘palosur’, Don Agaçion të përgatiste dhe dorëzonte me urgjencë në emër të Këshillit të Hajdutëve në Gjykatë Kushtetuese padinë… në emër të telefonatës që pati Lubia!
Cili-viu, viu-viu,
kush ia bën ia bën vetiu?
Keni parë, a s’keni parë,
shkon i vdekuri me të gjallë…
Balluku është e pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa për paracaktim të tenderit loti 4 unaza e Madhe Balluku dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi do të dalin të shtunën përpara gjykatës së posaçme ku do tu komunikohen masat e sigurisë. Gjyli dhe Elezi janë nën masën e arrestit në shtëpi.
Për sa i përket rastit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se institucioni i Kryeministrisë depozitoi në Gjykatën Kushtuese pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, me vendim të GJKKO.
Atë që kreu i qeverisë e tha në konferencë e konkretizoi me dokument zyrtar, duke kërkuar që vendimi i pezullimit të numrit dy të qeverisë të cilësohet si antikushtetues.
Në konferencën që kryeministri zhvilloi me komisioneren Marta Kos deklaroi se pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut eshte nje vendim arbitrar.
Sipas kreut të qeverisë me kete vendim të GJKKO, është cënuar pavarësia e pushtetit ekzekutiv, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Qeveria aktualisht nuk ka Zv.kryeministër dhe një ministër të Infrastrukturës në funksionon pas pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, me vendim të GJKKO-së.




