Pas denoncimeve të njëpasnjëshme dhe disa dosjeve të depozituara prej kohësh në SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetaren e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufin. Pas përfundimit të hetimeve, ajo akuzohet për veprën penale “përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. E gjithë kjo nisi pas një denoncimi të bërë publik në emisionin “Piranjat”, ku zonja Bufi urdhëronte qytetarin Gazmend Borgji të mos merrte pjesë në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Mirëpo, në kohën kur është bërë ky regjistrim, zonja Bufi nuk ishte e vetme në zyrë, sepse pranë saj ishte edhe një tjetër personazh, asokohe jo shumë e njohur, deputetja aktuale e Kuvendit, Zegjine Çaushi. E pranishme në zyrën e kryetares, zonja në fjalë fillimisht ka marrë rolin e avokates mbrojtëse të Majlinda Bufit në përballjen me qytetarin. Gazmend Borgji akuzohej nga Majlinda Bufi se shtëpia e tij, e cila sipas qytetarit ishte ndërtuar nga vetë bashkia, cilësohej si një ndërtim pa leje.
Dhe duke qenë se Gazmend Borgji ishte shfaqur hapur në krah të kundërshtarit politik të Bufit, Zegjine Çaushi, që asokohe mbante postin e kryeinspektores së IMT-së në Bashkinë Roskovec, i bënte presion me prishjen e banesës. Duke parë që Gazmend Borgji nuk po i bindej urdhrave të kryetares së Roskovecit, Zegjine Çaushi fillon ta kërcënojë qytetarin me masa administrative, gjobë dhe dy vjet burg.“Vetëm me atë fiton ore, nuk fiton me ata të tjerët. Ndihmoje atë se nuk del keq, ndihmoje ore. Po të zbatojë ligjin ajo… dëgjoje atë se i thonë 5 milionë lekë minimalisht gjobën edhe vete bën një a dy vjet burg ore. Akoma nuk kupton ti? Për Zotin ti do vesh në burg ore”, i thotë Çaushi qytetarit në audiopërgjim.
Deputetja aktuale ka qenë po aq e përfshirë sa edhe Majlinda Bufi me këtë rast. Është e qartë se synimi i Çaushit ka qenë të frikësonte Gazmend Borgjin e ta detyronte në këtë formë që të mos shkonte në zgjedhje, ashtu siç kërkonte kryetarja e Roskovecit.
Ndërkohë, deri më sot nga prokuroria nuk është ngritur asnjë akuzë për Zegjine Çaushin, e cila vazhdon e qetë spektaklin e saj në parlament. Megjithatë, faktet janë aty të qarta, tashmë pritet vetëm që drejtësia të veprojë dhe ta zbardhë plotësisht ngjarjen.
© SYRI.net




